Delegacioni amerikan në Prishtinë takon liderët për marrëveshjen me Serbinë

schedule19:02 - 28 Shkurt, 2019

schedule 19:02 - 28 Shkurt, 2019

Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump kanë zhvilluar takime në Prishtinë. Ata fillimisht janë takuar me përfaqësues të delegacionit shtetëror të Kosovës. Tema kryesore e bisedimeve ishin taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Delegacioni i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së edhe sot ka kërkuar pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe gjatë dy takimeve që ka pasur me delegacionin shtetëror  për dialog në njërin prej të cilëve ishte prezent edhe presidenti Hashim Thaçi.

Edhe sot sikurse dje nuk ka pasur asnjë deklaratë për media pas takimeve. Zyrtarët amerikanë kanë preferuar të heshtin, ndërsa ata të Kosovës njoftojnë për takimet vetëm nëpërmjet komunikatave dhe statuseve në rrjete sociale.

Në një komunikatë për media nga zyra e Presidencës thuhet se delegacioni shtetëror për dialog ka shprehur gatishmërinë për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel.

Ndërsa facebook bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialog Fatmir Limaj në një status në Facebook ka shkruar se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror.

“Ata paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet të kenë një qëndrim unik rreth kësaj cështje i cili do të mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë”, ka shkruar Limaj në facebook.

Ndërsa Kreu i PSD-së Shpend Ahmeti nuk e ka përmendu fare taksën në njoftimin e tij në Facebook, por tashmë dihet se ai disa herë ka dalë në përkrahje të Haradinajt për mospezullimin e taksës.

Delegacioni amerikan dje pasdite ka takuar presidentin dhe kryeministrin.

Haradinaj duke iu referuar takimit të djeshëm ka thënë se marrëveshja legjitime me Serbinë do të zgjidhte edhe çështjen e tregtisë së lirë dhe heqjen e taksës.

Pas takimit mbrëmë vonë Presidenti ka takuar kreun e LDK-së Isa Mustafa parti kjo në opozitë.

Nëpërmjet një statusi në facebook Mustafa thotë të ketë qenë kërkesë e Thaçit që ta informojë atë, “si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së”.

Mustafa thotë te ketë shprehur brengën për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin ndërsa ka kërkuar nga Thaçi të heqë dorë nga diskursi i tij politik për korrigjim kufijsh./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!