Komisioni i Posaçëm i Apelimit nisi shqyrtimin e ankimit të bërë për prokuroren Antoneta Sevdari, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe shpalli vendim për ish-anëtarin e Kushtetueses, Gani Dizdari. Ndërkohë para KPK-së doli prokurori i Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve, Artan Bajrami.
E mërkura ishte një ditë e ngarkuar me seanca në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prokurorja Antoneta Sevdari, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas ankimimit të Komisionerit Publik të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e ka mbajtur në detyrë. Komisioneri Publik kërkoi çeljen e hetimit mbi burimin e ligjshëm të të ardhurave për krijimin e pasurive të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të. Për t’i dhënë kohë prokurores dhe Komisionerit për t’u njohur me një denoncim të ri të paraqitur në KPA për Sevdarin, seanca u shty për në 19 Shkurt.
Më herët, në një tjetër seancë, një trup gjykues i KPA-së vendosi unanimisht të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 16 Korrik 2018 për shkakrimin nga detyra te gjyqtari Gani Dizdarit. Ish-anëtari i Kushtetueses u përjashtua nga sistemi për shkak të kontakteve të papërshtatshme dhe problemeve me pasurinë.
Ndërkohë, kreu i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami, doli para një tresheje gjykuese në KPK. Nga hetimi i Komisionit rezultoi një pasaktësi në pagesën e 1.5 milionë lekëve për blerjen e një apartamenti 6.5 milionë lekë. Shuma sipas prokurorit ishte dhënë nga baxhanaku, ndaj nuk e kishte deklaruar. Për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Artan Bajrami, është figurë e pastër dhe pa lidhje me krimin. Bajrami ishte prokurori që përfaqësoi akuzën në gjykimin ndaj Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve të Rënda. Pas përfundimit të seancës, ai siguroi median se ne lidhje me këtë çështje do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë./abcnews.al