Del ekspertiza përfundimtare për Lear Kurtin: Vdiq nga mbidoza

schedule09:36 - 17 Nëntor, 2022

schedule 09:36 - 17 Nëntor, 2022

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor në lidhje me shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti. Pas kryerjes së aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, ka rezultuar se shkaku i vdekjes së Kurtit ka qenë mbidozimi me lëndë narkotike të llojit kokainë.

NJOFTIMI

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:

Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.

Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”

Kujtojmë se, sipas prokurorisë dhe AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila ishte e mbushur me kokainë. Qesen, Kurti e kishte gëlltitur në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit.

Sipas autoriteteve, patrulla e policisë i ka kërkuar Kurtit që të japë një mjet identifikimi, por ai ka vrapuar duke u larguar 200 metra më tej ku edhe është kapur. Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës.

Policia këmbënguli se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!