Del ekspertiza e armëve të gjetura në Yrshek, policia krahason të dhënat me atentatet e fundit

schedule17:06 - 27 Korrik, 2020

schedule 17:06 - 27 Korrik, 2020

Laboratori i Policisë Shkencor ka nxjerrë përgjigjen e ekspertizës balistike të 15 armëve të zjarrit të sekuestruara në banesën e Gëzim Harokut në Yrshek, në qershor të këtij viti. Mes të cilave edhe një armë snajper.

Përgjigja mësohet se ka dalë pak ditë më parë, ndërsa grupi hetimor është duke krahasuar të dhënat e përfituara prej tyre, me gëzhojat dhe provat e gjetura në disa ngjarje të rënda kriminale, përgjatë 3 viteve të fundit.

Burime pranë policisë sqaruan se bëhet fjalë për një sërë atentatesh të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër.

Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve që efektivë të komisariatit numër 6 bënë lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës më 15 qershor.

Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje janë Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi. Ky i fundit vijon të jetë ende në kërkim nga policia.

Sipas policisë, banesa e Harokut përdorej si bazë për të fshehur armët nga një grup i fuqishëm kriminal. Mësohet se i shpallur në kërkim, Erigers Mihasi njihet si mik i Ervis Martinajt.

Ai nuk është një emër jo pak i njohur nga policia. Dy vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Më herët ai është arrestuar edhe si persona i dyshuar për grabitjen, plagosjen, vjedhjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!