Kreu i Shtetit Ilir Meta, i ftuar në Zonë e Lirë, ka shpjeguar dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e kreut të ministrisë së Brendshme, të bërë publik vetëm 10 minuta përpara se të hynte në studio.
“Është e qartë në Kushtetutën e Shqipërisë që jemi vend demokratik që janë të ndarë pushteti civil nga ai ushtarak. Kështu që një dekret nga ana e Presidentit për emërimin pa këtë veprim, pa dekretin e mëparshëm për lirimin nga shërbimi aktiv, do të ishte një shkelje e hapur e qartë dhe flagrante e Kushtetutës, sepse nuk është thjeshtë një shkelje sipërfaqësore por është një shkelje e një parimi themelor mbi të cilin ngrihet Republika e Shqipërisë dhe qeverisja demokratike në këtë vend. Arsyeja ime është kjo dhe për mua kjo nuk është arsye e vogël, është arsye kushtetuese”.
Dekretimi i Lleshajt ministër i Brendshëm erdhi pas propozimit për herë të dytë të tij nga kreu i qeverisë Rama, duke krijuar idenë e një përplasje mes tij dhe presidentit. I pyetur nga gazetari nëse kjo pritet gjatë zgjedhjeve, Meta dha një përgjigje shteruese.
Arian Çani: Kujdes z. President! “Pyetja që vret” sonte është kjo. A do të ndodhë një përplasje e madhe Meta-Rama në zgjedhjet politike të vitit 2021? Apo pritet të ndodhë në vitin tjetër, në zgjedhjet lokale?
Presidenti Meta: Zero përplasje.
Një koment kreu i shtetit e bëri edhe për heqjen e shqiponjës nga sheshi ku pritet të vijojë ndërtimi i Unazës së Madhe.
Presidenti Meta: U kënaqa që bënë një ceremoni për ish-futbollistin e kombëtares tonë, Edvin Muratin. T’ia bëjmë Edvinit sepse ka luajtur për kombëtaren.
Arian Çani: Shqiponja u rrëzua.
Presidenti Meta: Jo, jo nuk rrëzohet shqiponja Edvinit.
Arian Çani: Shqiponja e Edvinit jo!
Presidenti Meta: Për Muratin!
I pyetur nëse dekretin për emërimin e Lleshajt ministër të Brendshëm e bëri në mënyrë që Vitore Tusha të merrte pëlqimin e parlamentit për të Kryesuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, pas një bisede kokë më kokë të zhvilluar me kreun e kuvendit Gramoz Ruçi, presidenti Meta e mohoi duke e quajtur lajmin fals./abcnews.al