Nigel Farage, lider i partisë britanike kundër migrimit, “Reforma në Mbretëri të Bashkuar”, është përballur me kritika të ashpra të shtunën, pasi ka thënë se Perëndimi e ka provokuar luftën e Rusisë në Ukrainë më 2022.
Në një intervistë për transmetuesin britanik, BBC, Farage ka thënë se “ne e kemi provokuar këtë luftë”, duke shtuar se “natyrisht” ka qenë “faji” i presidentit rus, Vladimir Putin.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, u ka thënë gazetarëve se pretendimi i Farage-it është “plotësisht gabim dhe shkon vetëm në të mirë të Putinit”.
Farage – ish deputet i Parlamentit Evropian, ka tentuar dhe dështuar shtatë herë të bëhet deputet në Parlamentin britanik – dhe tani po mëton të garojë në zgjedhjet e përgjithshme britanike, muajin e ardhshëm.
Aktualisht partia e tij është e treta në listë, mirëpo ai pritet të fitojë pak ulëse.
Popullariteti i partisë që udhëheq ai është rritur prej kur Farage e ka marrë pozitën e liderit më herët gjatë këtij muaji.
Mirëpo, të shtunën është përballur me shumë kritika për deklaratën e bërë në intervistë.
Ministri i Brendshëm britanik, James Cleverly, e ka kritikuar Farage-in për “përsëritje të arsyetimit të Putinit për pushtimin brutal në Ukrainë”.
Ish-ministri britanik i Mbrojtjes, Tobias Ellwood, ka thënë se komentet janë “tronditëse” dhe që “Churchill po rrotullohet në varr”, referencë për ish-liderin britanik.
I pyetur më shumë për qëndrimet e tij për Putinin, Farage ka thënë gjatë intervistës se “nuk e pëlqen si person”, por e admiron “si operator politik, sepse ka arritur të ketë nën kontroll Rusinë”.
Ish-figurë e Brexitit, Farage është i afërt me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Farage ka thënë publikisht se synon të garojë për kryeministër më 2029.
Ai, po ashtu, ka përsëritur pretendimet se Sunak, kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë, “nuk e kupton kulturën tonë”.
Komentet e tij ndaj Sunakut, janë kritikuar ashpër prej deputetëve britanikë. /rel