Më në fund ka reaguar dikush për veprimin e Lorenzos Insignes në duelin e djeshëm kundër Sassuolos. Është pikërisht agjenti i sulmuesit, Vincenzo Pisacane, i cili ka kërkuar të sqarojë të gjithë situatën në një prononcim për “Radio Punto Nuovo”.
Kujtojmë se kapiteni i Napolit u acarua pas akordimit të penalltisë në favor të Sassuolos në minutën e 93-të të takimit dhe u kap nga telekamerat duke thënë “Ç’është ky ekip m**i“. Trajneri Gattuso qetësoi situatën pas ndeshjes, por nuk kishte asnjë reagim nga klubi, deri në momentin që agjenti theu heshtjen.

“Gjesti që bëri Lorenzo mendoj se është një reagim mëse normal që mund të ketë një futbollist në momentin që ekipi i tij barazohet nga një gol në minutën e 95-të. Siç e kam thënë shpesh, Insigne humbet dy herë ose më mirë tre herë. Si kapiten, si futbollist dhe si tifoz i Napolit”, deklaron agjenti.
Ai gjithmonë dëshiron më të mirën nga vetja në fushë dhe stërvitje. Dua të sqaroj se ai nuk ka fyer askënd, por reagimi erdhi nga rrjedhoja që mori sfida. Si agjent i Lorenzos unë jam shumë krenar që punoj me një lojtar dhe njeri të tillë”, përfundon Pisacane. /abcnews.al