Deklarata për president të përbashkët Kosovë-Shqipëri, politologu: Ja pse nuk ishte projekt real

schedule20:24 - 16 Tetor, 2021

schedule 20:24 - 16 Tetor, 2021

Në fillim të mandatit, në vitin 2014 Rama do të përpiqte të shmangte retorikat nacionaliste provokative. Madje, në të parën mbledhje qeveritare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, në janar të vitit 2014,  do të përpiqej të shuante shqetësimet e fqinjëve, për ideimin e Shqipërisë së Madhe në “kuvendime” të kësisoj, duke u shprehur se Kosova dhe Shqipëria e kanë shumë të qartë kufirin, dhe se nuk mund të prinin në besë ata që kontriubuan për Pavarësinë e Kosovës.  Por, retorika e tij e kujdesshme duke i qëndruar besnik faktorit ndërkombëtar do të ndryshonte vetëm një vit më pas.

Por, vetëm një vit pas kësaj deklarate, kryeministri i Shqipërisë si vend kandidat për në BE, dhe kreu i qeverisë së shtetit të ri kosovar, nën proceset euroatlantike, Hashim Thaçi, do të përdornin publikisht një retorikë të shkujdesur. Në prill të vitit 2015, fill pas dekorimit si qytetarë nderi të Ulqinit, për rolin e tyre në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, do  të rihapnin temën e Bashkimit Kombëtar në një bisedë televizive  me Baton Haxhiun.

Asokohe Rama do ta komentonte me lehtësi këtë qasje , duke cituar anglezin Henry Cookie kur thoshte se “jeta është ajo çka ndodh ndërsa ne bëjmë plane të tjera”. Ndërsa togë-fjalëshi bashkim kombëtar, do të përdorej më shpesh në fjalimet e tij. Si një kryeministër që kritikon vazhdimisht retorikat nacionaliste, dhe që është i vetëdijshëm për shkëndijat që duhen për ta ndezur atë kur bëhet fjalë për debatin Kosovë-Serbi, deklarata e tij e bujshme në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nuk mund të ishte e rastësishme.

Politikanët serb si Nenad Popoviç kërkuan që Rama të shpallej non grata pas një deklarate të tillë. Por më shqetësuese ishin shuplakat e njëpasnjëshme të Parlamentit Europian dhe Ambasadës Amerikane, që u shprehën të shqetësuar dhe zhgënjyer nga gjuha e shkujdesur e kryeministrit shqiptar, që sipas tyre ishte jo vetëm e padobishme, por cenonte marrëdhëniet me fqinjët.

Rusia mori menjëherë në mbrojtje Serbinë përmes ministrit të jashtëm Sergej Lavrov, i cili gjatë vizitës së tij në Beograd përmendi Shqipërinë e madhe si faktor të mundshëm destabilizues. Sipas tij, sinjalet për jetësimin e kësaj ideje ishin më shumë se një, pasi edhe kreu i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, kishte vendosur në zyrën e tij flamurin shqiptar.

Patriotike a provokuese, ajo frazë e shkëputur e kryeministrit Rama, kishte ndezur flakët e një nacionalizmi dukshëm të pashuar në gjirin e politikave fqinje. Deri edhe mediat greke,  në titujt kryesor teksa theksonin se deklaratat e Ramës binin ndesh me interesat ndërkombëtare, e krahasonin kryeministrin e vendin me Erdoganin, për këtë qasje të tij. Ndërsa Kosovën e konsideronin si provincë serbe . Pas gjithë kësaj zallamahie, do të ishte vetë Rama që me reagimin e radhës do të bënte që deklarata e tij euforike , të shfryhej si flluskë sapuni.

Edhe kreu i opozitës në atë kohë, Lulzim Basha do ti sugjeronte Ramës që bashkimin me Kosovën ta shikonte në strategjitë ekonomike, e jo në retorika nacionaliste ku kamufloheshin premtimet e pa mbajtura qeveritare.

Por, a ka qenë realisht në synimet e politikës shqiptare, Shqipëria e Madhe? Apo qoftë edhe ideja e Ramës për një president të përbashkët? Politologu Ermal hasimja shpjegon  pse ideja për Shqipërinë e Madhe nuk është projekt i shqiptarëve dhe shkaqet që  elita politike në të dy shtetet nuk do të ishte e gatshme të ndërmerrte këtë nismë përbashkuese. /Abcnews.al