Deklarata e Vuçiç për vrasjen e Ivanoviç, reagon ministri Tahiri

schedule23:45 - 4 Korrik, 2019

schedule 23:45 - 4 Korrik, 2019

Institucionet e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në lidhje me hetimet për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një deklarate për media, ka thënë se deklarata e Vuçiçit është “tërësisht politike, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë”.

“Është për keqardhje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet të dalë në pah”, thuhet në deklaratë.

Ndaj kësaj deklarate të ministrit Tahiri, ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se “Tahiri po mbron kriminelët e luftës dhe po i fsheh vrasësit e Oliver Ivanoviçit”.

Të mërkurën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi “mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviçit”, por po përpiqet të sigurojë prova materiale.

Ai tha se Milan Radojçiç, nënkryetar i partisë së serbëve të Kosovës “Lista Serbe”, nuk ka lidhje me këtë vrasje.

Autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai është i përfshirë në këtë krim.

Oliver Ivanoviç është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ka qenë kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, ndërsa Radojçiç, i cili është kërkuar po ashtu, nuk është gjetur në banesën e tij./REL