Deklarata e Thaçit në Samitin e Diasporës, Nano: Përrallë e bukur për t’u treguar

schedule20:26 - 5 Mars, 2019

schedule 20:26 - 5 Mars, 2019

Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në Samitin e Disaporës deklaroi se shkëmbim territoresh me Serbinë nuk do të ketë kurrë pasi është pazar. Në monologun e kësaj puntate të emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano u ndal pikërisht te kjo deklaratë e Presidentit të Kosovës.

Për Nanon, që kur është hapur diskutimi për një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës, Thaçi është kujdesur të shprehet vetëm për korrigjim kufijsh. Por për moderatorin e “Provokacijas”, Presidenti ka në mendje shkëmbimin e territoreve.

Sipas Mustafa Nanos është një përrallë e bukur që të futesh në negociata me Serbinë dhe t’u marrësh edhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët.

“E dëgjuat Hashim Thaçin se çfarë tha në Samitin e Diasporës lidhur me një marrëveshje të mundshme mes shqiptarëve të Kosovës e Serbisë? “Unë një gjë premtoj sot”, tha ai. “Shkëmbim territoresh nuk do të ketë kurrë, pasi ky është pazar. Kushdo që kërkon shkëmbim territoresh, do të duhet të kalojë mbi trupin tim. Nuk kemi për të lejuar cënimin e asnjë milimetri tokë të Kosovës, por njëkohësisht, askush nuk më ndalon mua të interesohem për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të na u bashkuar neve, në territorin e Kosovës.”

E besoni ju këtë? Unë jo. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, që kur është hapur diskutimi publik mbi një marrëveshje finale serbo-kosovare, që do të sillte paqen afatgjatë apo të përhershme mes këtyre dy vendeve, Hashim Thaçi ka folur veç për korrigjim kufijsh dhe jo për shkëmbim territoresh. Ai në asnjë rast nuk ka bërë gafën që të flasë për shkëmbim territoresh, sido që janë të shumtë ata që janë të sigurtë se ai flet për korrigjim kufijsh, por në mendje ka pikërisht shkëmbimin e territoreve. Mirëpo ai e ka mohuar që të jetë kështu. Dhe kur i kanë kërkuar ta shpjegojë në terma konkretë këtë idenë e vet të korrigjimit të kufijve, ai nuk e ka fshehur se me këtë ka parasysh që Kosovës t’i bashkangjitet edhe Presheva, Medvegja e Bujanovci, dhe se vetëm me këtë ide fikse në kokë do të futet në negociata me Serbinë. Mirëpo kjo është marrë vesh që në krye të herës se është një pesë me hiç. Të futesh në negociata paqeje me serbët, të cilëve ende nuk u ka dalë e keqja prej asaj që ka ndodhur, e nuk dihet kur do u dalë, nëse do u dalë ndonjëherë, të futesh në negociata të tilla pra duke shpallur se synimi i Kosovës është t’i merren Serbisë edhe vise të tjera të banuara nga shqiptarë, është një përrallë e bukur për t’u treguar, ndoshta edhe për t’u dëgjuar. Në mos, është thjesht një “smokescreen”, domethënë një mjegull e krijuar për të fshehur qëllimin e vërtetë. Dhe nëse është kjo e fundit, nuk kuptohet pse Thaçi e bën këtë gjë. Rruga më e mirë në këtë rast do të ishte që ai t’i dilte për zot skemës që ka në kokë, e të provonte t’i bindte të gjithë, qoftë edhe duke vënë bast me karrierën e tij, se shkëmbimi i territoreve është një ide brilante”, tha Nano.

Megjithatë, nëse do ishte këshilltari i Thaçit, ai do ta drejtonte atë që të dilte hapur në publik dhe ta thonte nëse beson se ideja e shkëmbimit të territoreve është një zgjidhje e mirë. Në të kundërt, sipas Nanos, mos të dalë ta thotë këtë gjë pasi si të tallesh me të gjithë.

“Sikur të isha këshilltar i Thaçit, do ta tërhiqja mënjanë e do t’i thoja: “Hashim, beson se ideja e shkëmbimit të territoreve është një zgjidhje që ka më shumë të mira sesa të këqija për shqiptarët? Dil hapur në publik e thuaje këtë gjë. Dhe mbroje me forcë. Dhe thuaj që kjo ide për ty vlen më tepër sesa posti që ti mban. Në mos, ok, të besojmë se ky nuk është qëllimi yt, të besojmë se janë të tjerët që ta kanë veshur këtë qëllim, të besojmë që t’i beson se shqiptarëve u bëhet veç keq prej kësaj lëvizjeje, të besojmë se me trupin tënd do t’u bëhesh pengesë atyre që do duan ta bëjnë shkëmbimin e  territoreve, të gjitha këto t’i besojmë, por mos na dil më të na thuash se qëllimi yt është një dhe i vetëm, është t’i marrësh Serbisë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin dhe vetëm pas kësaj do të arrihet me serbët një marrëveshje e madhe paqeje. Mos dil ta thuash këtë gjë, pasi kjo është si të tallesh me të gjithë. Të tallesh me veten, mbi të gjitha”, u shpreh ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!