Dritan Kadia, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, është i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News. Sigurisht tema kryesore është vendimi i Ligës për të shtyrë kampionatin e Kategorisë Superiore. Kjo për shkak se qeveria nuk i ka marrë aspak parasysh kërkesat e klubeve.
“Gjëja e parë që bie në sy është fakti që ai thotë nuk kam patur njoftim për kërkesat e Ligës. Kjo gjë bie poshtë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm. Është aparati i brendshëm i kryeministrisë që duhet t’ia përçojë shkresën”, tha fillimisht Kadia.
“Presidentët komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kjo është pozitive. Ata janë duke komunikuar edhe tani, për të vendosur se çfarë do të bëjnë pas deklaratës së kryeministrit. Ata do të marrin vendimin. Do të ketë bisedime dhe kjo është pozitive. Por duhet parë se çfarë është thënë më përpara dhe se çfarë është bërë. Kjo të lë të dyshosh. Mua m’u duk se kishte pak emocion deklarata e kryeministrit”.
Florian Riza, i ftuar në emision, shtoi se Rama kur flet për klube në të zezë, kjo është përgjegjësi e autoriteteve shtetërore. Kadia e mori sërish fjalën dhe foli për katër kërkesat që kanë bërë klubet kundrejt qeverisë.
“Kemi dy momente, ai i protokollit që është dërguar një letër dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Presidentët bëmë një deklaratë tjetër dhe ajo u duk me nota të ashpra. Pas këtij qëndrimi kjo ka sjellë edhe bojkotin e kampionatit pa afat. Presidentët kërkonin plotësimin e kërkesave deri në fillimin e kampionatit. Tani kemi një deklaratë dhe një diskutim në tavolinë”. / abcnews.al