Disa ditë më parë, në fjalën e tij në seancën plenare, kryeministri Edi Rama filloi të fliste me tone të ashpra ndaj prokurorëve që e dinë që nuk kalojnë Vettingun. Kreu i qeverisë iu drejtua atyre me një togfjalësh “Kap çfarë të kapësh” (KÇK).
Kjo deklaratë solli edhe reagimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo këtë të premte, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin E ligjeve ndaj kreut të Këshilli të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ky i fundit ka theksuar se deklaratat e kryeministrit janë politike. Megjithatë ai u shpreh se KLP nuk heton raste.
“Deklaratat e kryeministrit janë politike, nuk mjaftojnë për ne. Nuk është se i neglizhojmë, por nuk jemi ne që hetojmë. Ne vetëm mund të gjykojmë rastet. Nuk mund ta paragjykojmë një proces gjyqësor”, tha Ibrahiami.
Ndër të tjera, kreu i KLP-së tha se procesi i Vettingut mund të zgjasë të paktën edhe 3 vite. Për ngritjen e institucioneve të reja, Ibrahimi u shpreh se po pritet që të emërohen prokurorë të tjerë, pasi 8 të cilët tashmë janë pjesë e SPAK, do e kishin të pamundur për të hetuar volumin e dosjeve që janë në tavolinë, çka sipas tij do të sillte një mbingarkesë në punën e tyre.
“Tani që flasim kemi 8 prokurorë që mund ti emërojmë të cilët kanë kaluar Vettingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe”, u shpreh Ibrahimi.
Duke mos dhënë një afat të caktuar, Ibrahimi u shpreh se shumë shpejtë do të jetë në funksion SPAK, ndërsa krijimi i BKH, do të marrë kohë më të gjatë.
“Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë”, deklaroi Ibrahimi.
/abcnews.al