Deklarata e Kurtit për njohjen reciproke irriton Vuçiçin: Nuk e di se çfarë flet

schedule14:35 - 3 Janar, 2022

schedule 14:35 - 3 Janar, 2022

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se dialogu Kosovë – Serbi duhet të jetë pa kushte dhe “pa diktim për palën serbe”.

Vuçiç komentoi deklaratat e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se janë të gatshëm për marrëveshje me Serbinë, por në mënyrë që ajo ta ketë në qendër njohjen reciproke, transmeton Gazeta Express.

“Ju vutë re dy gjëra me kujdes dhe në mënyrë serioze nga deklaratat e Albin Kurtit. Së pari, ai tha se dialogu sigurisht që mund të zhvillohet, por njohja reciproke duhet të jetë në qendër. Kjo ishte pika një. Sepse e kuptova që ai nuk e kupton se për çfarë po fliste. Ai tha se ata janë në një rrugë të pastër evropiane dhe do të kërkojnë anëtarësimin në BE, dhe se Serbia është anëtare e Bashkimit Euroaziatik. Ai nuk e kupton se çfarë është nënshkrimi i një marrëveshjeje dhe çfarë të jesh anëtar”, tha Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

Vuçiq tha se Kurti “me siguri ka arritur në këtë përfundim duke lexuar disa media perëndimore”.

“Serbia është në rrugën evropiane dhe ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë miqtë e saj në botë, Rusinë, Kinën, Indinë dhe do të vazhdojë t’i mbrojë, kultivojë dhe trashëgojë ato”, theksoi ai.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Tv Klan tha se janë të gatshëm që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të ndodhë edhe gjatë vitit 2022, por një gjë e tillë varet edhe nga Serbia.

“A do të ketë një marrëveshje të tillë varet shumë më shumë prej Serbisë sesa prej Kosovës meqenëse ne jemi të gatshëm. Marrëveshjet që nuk e nënkupton si qendër të përmbajtjes njohjen reciproke natyrisht, jo vetëm që s’janë të pranueshme për neve, por edhe nuk janë të dobishme për askënd”, tha ai.

Kryeministri tha se Serbia ka dilema për rrugëtimin e saj, pasi tha se blen armatim prej Rusisë dhe është pjesë e Unionit Ekonomik Euroazitaik./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!