Analisti Mentor Nazarko ka komentuar deklaratën e fortë të presidentit malazez se me nismën “Ballkani i Hapur”, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, do të “zhdukeshin”.
Në studion e ABC Live, Nazarko tha se politika të tilla në rajon janë për të sjellë konflikte të brendshme. Sipas tij, ka një xhelozi nga shtete që nuk e kanë përkrahur nismën që në nisje.
“Zhvillimet në politiken e brendshme, goditja ndaj grupeve korruptive, prishja e statuskuosë në lidhjet krim-pushtet, sjellin tension në marrëdhëniet midis krerëve të shtetit. Dihet që Gjukanoviç është kritik ndaj iniciativës, por ky aktivizim i tij tani lidhet me zhvillimet e brendshme.
Është e qartë që Ballkani i hapur ka mbështetje amerikane, madje dhe ambasada amerikane në Mal të Zi ka folur pro saj. Është logjike kërkesa që të përfshihen të gjithë shtetet, sepse kjo është e vetmja iniciativë ngushtësisht ballkanike. Shtetet jashtë Ballkanit të hapur si Kroacia, Sllovenia nuk e duan një iniciativë si kjo, ku rolin kryesor e luajnë Serbia dhe Shqipëria, ndaj ato nxisin kundërvënie nëpërmjet shteteve si Kosova apo Mali i Zi. Mali i Zi ka arsye specifike- afërsinë më të madhe me BE-në.
Ky aktivizim i zotit Gjukanoviç sot lidhet me zhvillimet e brendshme, prishjen e statuskuosë ne goditjen e krimit të lidhur me pushtetin nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri i Malit te Zi, Abazoviç”, deklaroi Nazarko. /abcnews.al