Vrasja e mjekut Pjerin Xhuvani 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 ishte në fokus të emisionit të sotëm “Open”, nisur nga arrestimi i dy zyrtarëve të lartë të policisë dhe detajeve të tjera nga dosja hetimore që janë bërë publike. Por ndërkohë është diskutuar dhe deklarata e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu për këtë ngjarje që rezulton e rreme. Por pse gënjeu Ardi Veliu?
Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço tha se ka kërkuar dorëheqjen e tij që prej vrasjes së oficerit të policisë në Lezhë dhe se ngjarjet e tjera kanë ardhur si kronologji.
“Kur ka ndodhur ngjarja e Lezhës që u vra oficeri i policisë unë kam qenë nga të parët që kam dalë dhe kam thënë që drejtori i policisë së Shtetit duhet të japë dorëheqjen, duhet të largohet. Ishin ngjarje të përsëritura që u mbivendosën, të cilat ky njeri nga niveli drejtues strategjik nuk po ia dilte dot. Se për çfarë arsye nuk e di. Kronologji janë. Ne e kemi marrë vesh vetëm pas 4 ditësh që këta kishin gënjyer. Ku balancohet morali me të gjithë ato ngjarje që ndodhën”, tha Karamuço.
Ismail Elezi-Ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit mendon se u ndoq një strategji që votat të shkonin atje ku duheshin. Ai e argumenton këtë dhe me seancën për vlerësimin e masës së sigurisë që u mbajt pas zgjedhjeve.
“Drejtori i përgjithshëm bashkë me prokurorin e patën strategji dhe ishte kjo, që ne do dalim dhe do deklarojmë që nuk u gjet asgjë sepse grupi do ta bënte punën deri në fund për të çuar votat atje ku duheshin dhe pastaj mbrapa të bëhet çfarë të bëhet. Kjo është e vërteta. Dhe po të shohim dhe vlerësimin e masës, ngjarja ndodhi më datë 21, vlerësimi i masës…se çfarë kanë bërë, pasi janë shoqëruar këta djemtë, të grupit të PD, i bënë qëllimisht arrestimet pas orës 12-1-2 pas mesnate për të vetmen arsye që t’i kapte data 26. Këta djem të mbarojnë punë me votat dhe më dt 26 do dalin, do shkojnë në gjykatë. Ndikim politik pa diskutim fare”, deklaroi Elezi.