Ambasadorja shqiptare në Tel Aviv, Meri Kumbe ka treguar në lidhje me situatën në Izrael, pas bombardimeve të Hamasit.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Kumbe u shpreh se vazhdimisht dëgjohen sirenat e alarmit dhe të bombardimeve.
Kumbe deklaroi se orët e para të së shtunës, kur ndodhi sulmi, ishin si një ëndërr e keqe.
“Absolutisht, po. E para ndihet nga sirenat e alarmit herë pas here. Fatmirësisht, në Izraelin Qendror nuk janë shumë të shpeshta. Por gjithsesi, ekzistojnë, udhëzimet e autoriteteve lokale janë që qytetarët të qëndrojnë të mbyllur, të qëndrojnë nëpër shtëpi, pranë dhomave të sigurisë, të limitojmë lëvizjet, përjashto njerëzit që kanë për të vajtur në punë. Pjesa tjetër e popullatës është udhëzuar që të bëjë kujdes dhe të evitojë daljet në rrugë. Janë qytete të mëdha, plot jetë, me trafik, është e dhimshme që i shohim këto qytete në këto kushte. Shpesh edhe dëgjohen, mbase jo sirena alarmi, po mund të dëgjohen shpërthime të largëta dhe janë zakonisht shpërthimet e raketave që ndodhin në ajër.
Ishte si një ëndërr e keqe. Patjetër që personalisht e njihja vendin më përpara, por ishte hera e parë që e përjetova një situatë të tillë. Ishte vërtet një ëndërr e keqe, sidomos orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë. Nuk kishte asnjë laj, i vetmi burim lajmesh ishin vetë njerëzit në rrjetet sociale fillimisht. Ishte herët në mëngjes, ishte e papritur këtu. Personalisht jam e qetë, përpiqem të bëhem e fortë për ato gra, vajza, nëna që marrin në telefon, që shprehin shqetësime. Të gjitha lajmet ndikojnë negativisht, kam bërë maksimumin tim. Jam përpjekur maksimalisht për t’u qëndruar pranë të gjithë atyre personave që na kanë kontaktuar”, theksoi ajo./abcnews.al