Është apo nuk është i ftuar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në komisionin e medias?
Kësaj pyetje nuk iu dha përgjigje që në fillim sepse anëtarët e komisionit ishin të zënë, duke u zënë me njëri-tjetrin.
Publikut i duhej të gjente përgjigjen mes të bërtiturave. Ajo që mund të kuptonin është thirrja që i bëri gardës kryetarja Albana Vokshi për të nxjerrë jashtë kryebashkikun Erion Veliaj.
Mbledhja nuk u qetësua as pas 5 minutave pushim. Përkundrazi, u ngrit deputeti demokrat Flamur Noka t’i japë zgjidhje. Pas tij shkuan edhe deputetët Salianji dhe Balliu.
Në krah kryetarit të Bashkisë Tiranë iu vunë deputetët socialistë, Ilir Beqja dhe Ulsi Manja. Madje edhe vetë oficerët e Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Më në fund, Veliaj vendos të largohet madje, duke i paralajmëruar se ajo për të cilën po debatonin sot, prishjen apo jo të teatrit ekzistues, fatin e kishte të shkruar.
Deri në atë çast, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk kishte marrë pjesë në debat. E pa me vend të flasë menjëherë pas largimit të Erion Veliajt.
Braktisja e sallës së komisionit edhe nga deputetët e majtë shënoi fillimin e shpjegimit për atë çfarë ndodhi.
I pari ishte kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj Pas tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Në fund kryetarja e komisionit Albana Vokshi.
Edhe pse të bërë me mendje të ftohtë deklaratat kundërshtojnë njëra-tjetrën. Në thelb të mbledhjes së radhës së komisionit ishte dëgjesa me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, për të dhënë shpjegime mbi realizimin e projektit për ndërtimin e teatrit të ri.
Ftesa për kryebashkiakun Veliaj ishte për të nesërmen. Por një angazhiim i tij detyroi grupin e deputetëve socialistë ta ftonin në të njëjtën ditë me ministren Kumbaro. Gjë që nuk u pranua nga anëtarët e djathtë.
Secila palë do të marrë masa ndaj njëra-tjetrës. Por publikut që iu desh të ndjekë mbi një orë shfaqjen e zhurmshme përpara kamerave të televizioneve që transmetonin drejtëpërdrejtë, nuk iu dha asnjë informacion konkret nëse projekti është i duhuri apo jo për të ndërtuar një Teatër Kombëtar të ri./abcnews.al