Dëftesat e nxënësve të shkollave përplasën në deklarata kontradiktore mazhorancën me opozitën.
Boçi: “Pranë Partisë Demokratike dhe Komisionit të Edukimit dhe Mediave, kanë ardhur ankesa nga prindër të cilët ngrenë shqetësimin se fëmijët e tyre nuk mund të pajisen dot me dëftesat e arsimit parauniversitar”.
Nikolla: ”Informoj nxënësit dhe prindërit se pasi përfunduam plotësimin e çertifikatës dhe diplomës për maturantët, po vijojmë me plotësimin e dëftesës së lirimit, si dhe të dëftesave të tjera të arsimit parauniveristar”.
Boçi: “Të vetmet dëftesa që u printuan dhe u shpërndanë ishin ato të klasës së 9-të, por edhe ato rezultuan me gabime, çka e bën dëftesën dokument të pavlefshëm për 35 mijë nxënës”.
Nikolla: “Nuk ka asnjë dëftesë me gabime”.
Boçi: “Një pjesë prej tyre rrezikojnë të mos regjistrohen në shkollë të mesme brenda dhe jashtë vendit”.
Nikolla: “Ashtu sikurse nuk ka asnjë nxënës që pengohet për t’u regjistruar brenda apo jashtë vendit”.
Demokratët akuzojnë se janë 420 mijë nxënës të lënë pa dëftesa shkollore dhe kjo vetëm për shkak të pazareve të prishura të ministres Nikolla për tenderin 70 milion lekësh për dëftesat. Por ministrja e kundërshton akuzën duke sfiduar selinë blu të bëj publike një ankesë të ardhur për vonesë apo mos-marrje diplome. Sfida e dyanëshme, të paktën në retorikë, troket deri në dyert e prokurorisë.
Boçi: “Ministrja Lindita Nikolla duhet të ndërpresë pushimet e fundjavës dhe të zgjidhë menjëherë problemin e qindra mijëra nxënësve, duke mos mbajtur peng të korrupsionit dëftesën e tyre. Kjo është një aferë për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe prokuroria kanë çfarë të zbulojnë”.
Nikolla: “Jo, jo, unë jam serioze në atë çfarë bëj e them zoti Boçi. Dhe mbaj çdo përgjegjësi, ndaj do t’i drejtohem prokurorisë për shpifje”.
Dëftesat po shpërndahen dhe tenderi është kryer sipas procedurave ligjore, jo nga ministria e arsimit por nga ministria e Brendshme, përfundon ministjra Nikolla. /abcnews.al