Dedja: Skënderbeu do ishte rivali i Tiranës, Sormani nuk e “riparon” dot Partizanin

schedule10:58 - 5 Qershor, 2020

schedule 10:58 - 5 Qershor, 2020

Prej vitesh nuk drejton një skuadër, por futbollin nuk e ka harruar. Hysen Dedja mbetet po ai njeri që doli kampion si lojtar e si trajner me Vllazninë, ndërsa është I lumtur që iu dha rasti ta shikonte sërish Superioren.

Së pari ai ka një lavdërim për Tiranën. “Pretendent për të dalë kampion është Tirana. Janë edhe 9 javë kampionat dhe ka shansin e mirë që, edhe po të gabojë, ka rezerva me nëntë pikët që ka më shumë. Ndoqa takimin me Bylisin dhe nuk e prisja. Kishte një dëshirë të madhe për të vrapuar, por edhe një harmonizim te Tirana”, shprehet Dedja, në intervistën e dhënë për gazetarin e ABC News, Bledar Kuka.

Ashtu si Partizani, edhe Tirana ka trajner të huaj, nigerianin Emanuel Egbo: “Trajneri i Tiranës ka vite që është këtu. Ka qenë pjesë e Tiranës dhe në klube të tjera në vendin tonë. E njeh mentalitetin futbollit shqiptar, e njeh mentalitetin e lojtarëve këtu dhe te Tirana është bërë si vendas, tiranas”.

Çfarë po ndodh me Partizanin dhe a ka shpresë me Sormanin? “Ka një ndryshim 50-60 për qind të skuadrës, në krahasim me ekipin kampion të Gegës. Prishet loja kompetive që kishte Partizani dhe e shoh të vështirë që trajneri Sormani të riparojë diçka. Ai mund të jetë nga ana profesionale, nga ana e përgatitjes, shumë i mirë, por këtu ndoshta nuk gjen rrugë ta riparojë këtë skuadër. I janë dhënë mundësitë”, deklaron shkodrani.

Dedja kërkon të veçojë Skënderbeun, që sipas tij mund të pretendonte edhe titullin kampion: “Më habit problemi i Skënderbeut. Kanë një motivim dhe dua të përgëzoj trajnerin Daja dhe presidentin. Sot janë në vendin e tretë dhe nuk e di si shkojnë problemet, apo cili është objektivi i tyre. Gjithsesi e gjetën guximin e fituan edhe në Tiranën. Sikur të mos ishin problemet e dënimit, do kishte qenë përkrah Tiranës për titullin”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!