Debutim perfekt i Dani Olmo, “ylli” i ri hyn në fushë dhe shpëton “Katalanasit” në La Liga

schedule16:36 - 28 Gusht, 2024

schedule 16:36 - 28 Gusht, 2024

Mos vallë kanë vendosur t’i sfidojnë “Galaktikët”?

“Yjet” e Barcelona, edhe pse pa emrin dhe lavdinë e atyre të Real Madrid, sërish treguan sesa të fortë janë këtë sezon të La Liga dhe ja ku erdhi fitorja e tretë radhazi.

Në një sfidë të vështirë në fushën e Rayo Vallecano, pikërisht në Madrid, “Blaugranat” ia dolën 2-1 me përmbysje, ku edhe pse vendasit shënuan të parët, me golin e Unai Lopezit, sërish të besuarit e trajnerit Hansi Flick nuk u dorëzuan.

Sidoqoftë, u desh motivimi i teknikut gjerman në pushim, dhe hyrja në fushë e yllit të ri, Dani Olmo, me kampionin e Evropës që bëri një debutim prej ëndrrash.

Fillimisht, Pedri, i kthyer nga dëmtimi, barazoi rezultatin ndërsa kampioni i Evropës siguroi tri pikët 8 minuta para fundit.

“El Mundo Deportivo”, siç pritej, ia kushton kopertinën “yllit” të ri: “Olmo magjik! Debutim prej ëndrrash i Dani, vendimtar në përmbysje, Barça ka 9 pikë nga 9 të mundshme!”

I tillë festimi edhe për të përditshmen tjetër katalanase, “Sport”: “Debutim spektakolar! Dani Olmo hyri pas pushimit dhe ndryshoi ndeshjen, shënoi golin e fitores!”

Ndërsa, tekniku Flick foli thjesht, si një gjerman.

“Ne e dinim se çfarë na priste në këtë ndeshje, dhe skuadra ishte e përgatitur për këtë. Ne u mbrojtëm mirë në pjesën e parë, ndonëse jo në mënyrë të përsosur. Në pushim i thashë lojtarëve se duhej të sulmonin, sepse nuk mund të fitonin duke u mbrojtur. Në pjesën e dytë patëm më shumë zotërim topi dhe e merituam fitoren. Më vjen mirë që Dani debutoi me gol. Ai është shumë i rëndësishëm për ne. Gjithsesi, jemi të trishtuar për dëmtimin që pësoi Bernal. Nuk duket aspak situatë e mirë”,- tha ndër të tjera gjermani.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Ivan Balliu ishte titullar për skuadrën e Rayo Vallecano dhe luajti deri në fund, ndërsa te Barça u shqetësuan shumë për dëmtimin e rëndë të mesfushorit Bernal.

Sa i përket renditjes, “Katalanasit” kryesojnë me 9 pikë të plota, pra Real Madrid duket se do ta ketë sfidën këtë sezon. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!