Debutim magjik për Zllatan Ibrahimoviçin në SHBA

schedule16:39 - 1 Prill, 2018

schedule 16:39 - 1 Prill, 2018

Zllatan Ibrahimoviç bëri një debutim të shkëlqyer në futbollin amerikan. Ylli suedez vendosi fatin e derbit në Los Anxhelos, duke shënuar dy gola.

U prit si një i dërguar i Zotit kur hyri në fushë. Zllatan Ibrahimoviç debutoi si zëvendësues në futbollin amerikan, por kjo nuk e pengoi të tregonte se kush ishte. Dy gola personalë dhe përmbysja e rezultatit ishin më shumë sesa prisnin tifozët e skuadrës së tij, Los Anxhelos Galaksi, veçse suedezi nuk kishte dyshuar kurrë tek vetja.

Sulmuesi 36-vjeçar u detyrua nga mosha dhe dëmtimet të ulte nivelin e konkurrimit, veçse klasi i tij mbetet kudo i njëjti. Pas Holandës, Serisë A, La Ligës, Ligës së Parë të Francës dhe Premier Ligës angleze, ja përshëndetja e tij për Ligën Amerikane të Futbollit.
Për më tepër, dy golat dhe fitorja u arritën në derbin ndaj Los Anxhelos Futboll Klubit. Ylli me origjinë boshnjake spjegoi sesi e shënoi golin nga distanca.

Zllatan Ibrahimoviç: “Mbrojtja po kërkonte diçka dhe unë u dhashë Zllatanin. Në momentin kur u shënua goli i dytë, unë isha i vetëm në sulm, me mbrojtësit kundërshtarë përpara meje. Unë e pashë që portieri kishte dalë përpara ndaj nuk u mendova gjatë për të gjuajtur menjëherë. Thjesht mendova sesi duhej ta gjuaja topin. Pasi shënova golin, natyrisht ndjeva shumë adrenalinë dhe hoqa fanelën për të festuar me tifozët, për të ndjerë përkrahjen e tyre”.

Më pas, Ibra foli për veten, dhe ndonëse gjysmë me shaka, nuk pati probleme modestie.

Zllatan Ibrahimoviç: “Më vjen mirë që e nisa me gol, sepse unë kërkoj shumë nga vetvetja. Gjithnjë ka presion nga tifozët, nga kundërshtarët, nga shokët e skuadrës, por presioni më i madh për mua vjen nga vetja ime. Është e rëndësishme që fituam pasi ishim në dizavantazh, por kjo ndodh nëse ke Zllatanin në ekip”.

Është vetëm fillimi i ligës amerikane dhe Ibra mund ta ndihmojë ekipin nga Kalifornia që të fitojë titullin kampion./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!