Nata e mbrëmshme solli reshje bore edhe në zona të ulëta deri në 600 m mbi nivelin e detit. Ndërkohë dita e sotme i gjeti të zbardhur nga bora qytetin e Peshkopisë dhe të Bulqizës në verilindje të vendit.
Reshjet kanë qenë të dobëta. Në zona të thella me lartësi mbidetare mbi 800 metra ka rreth 20 cm, por nuk raportohen probleme.
Prezencë të dëborës në trupin e rrugës ka pasur në aksin Kombëtar Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës, ku në segmentin nga Sllova deri në Kalanë e Dodës ka rreth 20 cm borë, por mjetet borëpastruese kanë punuar për hapjen e rrugës.
Problematikë ka në aksin Kombëtar Ura e Çerenecit-Steblevë që lidhet me Librazhdin, në segmentin nga Ostreni drejt Steblevës bora dhe rruga e amortizuar dhe pa mirëmbajtje vështirëson kalimin e mjeteve.
Aksi Qafë Bualli- Krastë vështirësohet si pasojë reshjeve dhe rrugës së amortizuar dhe pa mirëmbajtje.
Sa u përket rrugëve rurale nuk ka problematikë, megjithëse në disa zona trashësia e borës varion nga 10 deri më 25 cm.
/abcnews.al/