Shqipëria vendosi sot që të shpallte “non grata” duke dëbuar diplomatin rus Alexey Krivosheev me argumentin se nuk zbatonte masat anti-covid-19 duke filluar nga mos mbajtja e maskës duke sfiduar urdhrat e autoriteteve. Por vendimi i sotëm është kulmi i asaj që “ziente” prej disa javësh.
Shkaku? Në datë 28 dhjetor, ambasada ruse në Tiranë përmes një postimi në Facebook i ofroi kryeministrit Edi Rama vaksinën e saj “Sputnik V” nëse Tirana zyrtare do të ishte e gatshme ta pranonte.
Por reagimi i kryeministrit Edi Rama ishte i fortë, duke e cilësuar si provokim qesharak. Kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi ambasadës ruse që të kërkonte falje për veprimin. Përgjigja nga selia diplomatike ruse në Tiranë nuk mungoi. “Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese”.
Por duket se nga njëra anë, Rusia ofronte vaksinat e saj, ndërsa në krahun tjetër, sipas ministrisë së Jashtme shqiptare diplomati i saj shkelte rregullat anti-covid duke sjellë dëbimin e tij. Dëbimi i një diplomati për shkelje të rregullave anti-covid-19 nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në asnjë vend të botës, Shqipëria precedenti i parë./ db/Abcnews.al