Rusia ka hedhur poshtë pretendimet e Holandës ndaj katër shtetasve rusë, të cilët u arrestuan dhe u dëbuan nga vendi nën akuzën e spiunazhit. Ngjashëm me raste të tjera, Kremlini është justifikuar duke thënë rusët kishin udhëtuar në Hagë për një vizitë rutinë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se dëbimi i katër agjentëve rusë javën e kaluar nga Holanda është një keqkuptim. Duke reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen, Lavrov ka nënvizuar se në aktivitetin e agjentëve nuk kishte asgjë të fshehtë. “Bëhej fjalë për një udhëtim rutinë.
Ata nuk u fshehën as kur mbërritën në aeroport, as kur hynë në hotel dhe as kur vizituan ambasadën tonë”, ka thënë Lavrov. Shefi i diplomacisë ruse ka bërë me dije se të hënën i ka dërguar një notë proteste ambasadorit holandez në Moskë, ku e cilëson burgimin dhe më pas dëbimin e shtetasve rusë një provokim. Javën e kaluar autoritetet holandeze deklaruan se në muajin prill kishin asgjësuar një rrjet spiunazhi rus, pasi kishin kapur katër agjentët në zotërim të pajisjeve të përgjimit në një hotel pranë selisë së Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Por reagimit të palës ruse zor se mund t’i zihet besë.
Në të njëjtën mënyrë Kremlini reagoi pas arrestimit të agjentes Maria Butina në Shtetet e Bashkuara, e cila synonte të depërtonte në politikën amerikane duke u bërë fillimisht aktiviste e shoqatës për lobimin e armëve. Gjithashtu, Rusia mohoi që dy agjentët rusë të identifikuar nga autoritetet angleze si përgjegjës për helmimin e Sergei Skripal të ishin funksionarë të aparateve shtetërore, duke thënë se ata kishin shkuar në Angli për arsye turistike. /abcnews.al