Debati publik/ Katër pyetje për Fidel Yllin, Liga e Futbollit kthen “reston”

schedule12:37 - 16 Shtator, 2020

schedule 12:37 - 16 Shtator, 2020

Asnjë zgjidhje për futbollin. E gjitha është kthyer në një betejë politike, madje edhe përfaqësues klubesh kanë nisur të flasin publikisht e të mos jenë dakord me bojkotin. Sigurisht asnjë në komunitetin e futbollit nuk do kishte dashur që gjithçka të shkonte në këtë pikë, por sikur edhe ata vetë thonë, janë detyruar.

Katër kërkesat e bëra prej një muaji nuk u morën në konsideratë dhe vetëm pasi kampionati u bojkotua lëvizën në kryeministri dhe Ministrinë e Financave. Ministrja Ania Denaj dhe i ngarkuari nga qeveria për të biseduar me klubet, Fidel Ylli, dolën në një konferencë për shtyp.

“Nuk është koha për shantazh”, thanë mes të tjerash, ndërkohë që Ylli e pranoi se kërkesat janë të drejta, por nuk e sheh të drejtë vendimin e klubeve për të mos qenë pjesë e diktimeve me Ministrinë. Në fakt nuk munguan edhe akuzat, duke e konsideruar vendimin e ligës si politike. Sot ka ardhur edhe reagimi komunitetit të Superiores.

REAGIMI I LIGËS – I dashur zoti Fidel! E ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit që ju dhe Ministria e Financave, zonja Denaj dhatë dje për mediat. T’ju them të drejtën prisja një qëndrim më mbështetës për kërkesat e Ligës, të cilat në fakt janë premtime të drejtpërdrejta e të bëra fjalë për fjalë, nga Kryeministri përpara 18 muajsh.

Sigurisht që është e drejta juaj të bëni politikë me gjithçka, por komuniteti i futbollit nuk ndihet i nderuar nga kjo prirje. Konferenca e djeshme e shtypit nuk i dha përgjigje disa pyetjeve:

1) Pse nuk i përmbushni, derisa i konsideroni të drejta kërkesat e Ligës?
2) A janë prej kohësh të njohura për qeverinë kërkesat e ligës?
3) Përse ministria e financave do të bisedojë me ne, kur ajo dhe qeveria, siç deklaroi edhe dje, janë kundër kërkesave të ligës?

4) Pse qeveria bën një të ashtuquajtur ligj për sponsorizimet që nuk e ka asnjë vend europian e ballkanik? Pse nuk miraton një ligj si Maqedonia, Kosova, Hungaria, Gjermania etj etj, “Ligjin për sponsorizimin”, që propozon Liga?

Unë si Sekretar i Ligës mbetem ne dispozicionin tuaj për çdo informacion që ju kërkoni. E përsëris edhe një herë ftesën në adresën tuaj, të vini për një takim në selinë e ligës. Gjithashtu, ju lutem t’i përcillni Kryeministrit si i vetmi person që mund të krijojë një vullnet politik të shumicës për zgjidhjen e katër kërkesave, gatishmërinë e përfaqësuesve të tryezës së presidentëve për t’u takuar e biseduar me të. Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!