Nisma për studentët e mjekësisë që i detyron ata të mos largohen nga vendi, ka shkaktuar debate të forta.
Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u shpreh se është rishikuar procedura që do të duhet të ndiqet për të punësuar mjekët që kanë përfunduar studimet.
Ajo gjithashtu sqaroi se qëllimi primar është ai i të ofruarit një shërbim shëndetësor për të gjithë qytetarët.
Pjesë nga biseda në studio:
Pyetje: Nisma për studentët e mjekësisë për të punuar këtu më parë, ka shkaktuar një tjetër debat të fortë.
Albana Koçiu: Së pari qeveria miratoi një projektligj që u miratua dhe u kundërshtua në kushtetuese. Më pas ne rishikuam ligjin bazuar në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese duke zbatuar pikë më pikë vendimin duke ulur kohën e detyrueshme për të punuar në Shqipëri. Nga 5 në 3 vite. Dhe kemi rishikuar edhe procedurën që do duhet të ndiqet për të punësuar këta mjekë që kanë përfunduar studimet. Deri në 3 muaj është detyrimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të kryer procedurën e punësimit të këtyre mjekëve dhe nëse pas 3 muajve nuk ka një mundësi të punësimit të tij do të paguhen të gjithë këta mjekë me 80 përqind të pagës së mjekut të përgjithshëm gjatë kohës që ministria i sistemon në një vend pune. Nëse në fund të një viti nuk ka rezultuar një mundësi punësimi për këta mjekë, nuk do të kenë më detyrimin për t’iu mbajtur diplomat. Prevalon interesi publik, që është ai i të ofruarit të shërbimit shëndetësor për të gjithë qytetarët. Ky është qëllimi primar, është një shembull që është aplikuar suksesshëm me shkollën e Magjistraturës.
Kjo është një lloj praktike edhe në Perëndim.
Ministrja Koçiu: Po ne e kemi edhe në vendin tonë. Magjistratura ka të njëjtën praktikë, përfundon shkollën deri në 5 vite ti mund të punosh në gjyqësor dhe ndërkohë nuk ke marrë diplomën.
Pyetje: I kufizon studentët ti përgjigjen tregut të punës.. nuk kishte një mënyrë tjetër shtrenjtim i tarifave.
Albana Koçiu: Kemi detyrim t’i ofrojmë qytetarëve shërbim shëndetësor kudo, nga Hasi Kukësi, Dibra etj. Për këtë arsye edhe këta studentë kanë detyrim të ushtrojnë këtë profesion në vendin e tyre. Kjo iniciativë ligjore këtë garanton, që interesi publik të prevalojë që shërbimi publik të mundësohet që shteti që ka mundësuar me taksat e shqiptarëve këta student të shkollohen të japin pasi kanë mbaruar shkollën, të ofrojnë shërbim për një periudhë tre vjeçare në vendin e tyre.
Pyetje: Pse nuk e hapni këtë edhe për mjekë të huaj, të hapet tregu të vijnë të tjerët në fund le të rrijë kush të dojë..
Albana Koçiu: Nuk po flasim për këtë, po diskutojmë të mbulojmë me shërbim shëndetësor të gjithë vendin. Është fakt që ka një tkurrje të burimeve njerëzore që punojnë sidomos në shëndetësi. Flasim për një shërbim jetik. Është detyrë qytetare që kushdo të ofrojë shërbim pikësëpari në vendin e tij.
Pyetje: Në fund nuk e detyron dot dikë, se në fund unë e kam paguar shkollën time, i kam paguar tarifat. Ndaj them duhej gjetur një mënyrë… le të shtrenjtohen tarifat.
Albana Koçiu: Menduam të mos i rëndojmë xhepat e të gjithë atyre të rinjve që duan të shkollohen por kanë detyrimin që në përfundim të këtij cikli studimesh të ofrojnë pikë së pari, shërbim për vendin e tyre.
/abcnews.al/