PRISHTINË- Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi foli për debatin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por dhe misteret që e shoqërojnë këtë proces dialogu me Beogradin.
Gjatë një interviste për “Tirana Live”, Abazi u shpreh se ky debat nuk është transparent, pasi edhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk po jep informacion të plotë për planin se si do të veprojë Kosova.
“Seanca e sotme në parlamentin e Kosovës është mbajtur pa ndonjë dokument konkret për atë që po flitet. Kryeministri me zhargon përgjithësues u përpoq që të paraqes anën e diskutimeve, sidomos me ato të krerëve të shteteve evropiane. Tentoi të japë një informacion, i cili nuk është i plotë dhe jo transparent dhe nuk ka përmbajtje dhe kjo pati edhe reagimin e opozitës. Vazhdon terri sa i përket çështjes se cilat janë obligimet e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, duket që nuk është fare propozim i ri, por një statut i cili është vendosur në tavolinën e palëve dhe tani pritet vetëm ekzekutimi i tij.
“Ajo që dimë në bazë të informacione të bëra nga BE se nuk është fare propozim, por është një statut, i cili është vendosur në tavolinë dhe tani pritet ekzekutimi i tij. Blerja e kohës nga Kurti është që realisht të ofrohemi sa më afër festave të nëntorit dhe dhjetorit ku vëmendja e publikut nuk do jetë e njëjtë me atë që ndodh gjatë vitit dhe mendoj se aty është taktika për ta futur ndërmjet duarve idenë e asociacionit. Në përmbajtje, problemi është se pika dhjetë e marrëveshjes, ka paraparë zbatimin e plotë të marrëveshjes 2013 dhe 2015, ku përfshihet asociacioni.”, tha ai.