Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara ka reaguar në lidhje me debatin që ka lindur për shkak lidhur me ndryshimin e adresave të banimit për disa qytetarë, pa dijeninë.
KRIIK i ka nisur një dokument Ministrisë së Brendshme, në të cilin i bëhet thirrje Ministrit Lleshaj, që të korrigjojë dhe përmirësojë Udhëzimin në mënyrë që ai të përmbushë detyrimet ligjore që rrjedhin prej Kodit Zgjedhor lidhur me numrin minimal të votuesve për një QV .
KRIIK thotë se lidhur me këtë problematikë të konstatuar nga media, nga ana e Ministrisë së Brendshme ka një mungesë serioze transparence dhe njëkohësisht evidentohet një qëndrim aspak i përshtatshëm dhe korrekt i të dy zyrtarëve të lartë të shtetit.
Sipas KRIIK, të tilla deklarata janë përpjekje të drejtpërdrejta intimidimi ndaj medias, duke cënuar lirinë e investigimit dhe të pasqyrimit të problematikave të qytetarëve në raport me institucionet shtetërore.
KRIIK thekson se ndryshimi i vendbanimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është i lidhur drejtëpërdrejtë me numrin zgjedhor, pra me listën e zgjedhësve, ndaj i bën thirrje Ministrit të Brendshëm si autoriteti përgjegjës i ngarkuar nga ligji që të bëjë dhe sigurojë në vazhdimësi transparencë.