Debati me ish-ministrin/ Nano: U ndodha përballë një shpifje edhe shpërtheva

schedule20:49 - 22 Maj, 2018

schedule 20:49 - 22 Maj, 2018

Javën e kaluar, drejtuesi i “Provokacija”, Mustafa Nano, gjatë emisionit “Opinion” në TV Klan u përfshi në një debat me ish-ministrin teknik të Drejtësisë, Gazment Bardhin, ku pati edhe një shpërthim sipas tij.

Nano sqaroi këtë të enjte gjatë emisionit, ku i ftuar ishte analisti Robert Rakipllari, se reagoi për shkak se ndaj tij ishte thënë një shpifje por njerëzit po e marrin si një reagim mbi bazën e emocioneve politike.

Mustafa Nano: “Mua më ka ndodhur një histori kohët e fundit në “Opinion”. Pata një debat me dikë. Edhe kam vënë re shumë diskutime. Unë pata një shpërthim”.

Robert Rakipllari: “E ndoqa”.

Mustafa Nano: “Në fakt, ato janë brenda natyrës time. E kanë ndjekur të gjithë edhe unë nuk është se jam krenar për këto shpërthime mirëpo u ndodha përballë një shpifje edhe shpërtheva. Mirëpo njerëzit po më marrin si njeri që kam reaguar mbi bazën e emocioneve politike. Unë thjesht reagova ndaj një shpifjeje, prandaj po e bëj këtë saktësim. Një person që mendon ndryshe nga unë dhe e kam përballë, mund të thojë ça të dojë dhe unë merrem vetëm me fjalët që thotë ai, që nxjerr nga goja dhe nuk më intereson fare biografia e tij. Kështu që ky ishte një saktësim që doja të bëja për veten”.

Nuk mungoi edhe një koment nga ana e kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Robert Rakipllarit, në lidhje me këtë çështje. Ai u shpreh gjatë emisionit “Provokacija” se kur gazetarët dhe analistët janë përballë debateve politike duhet të përgatiten që të jenë edhe përballë këtyre rasteve.

“Në qoftë se më lejon të bëj një koment për këtë pjesë, le ta quajmë si një solidarizim kolegësh. Ka dy momente. E para njëherë ju nuk ishit në një debat me një kolegun tuaj. Pra ishit në një debat me një person që ishte palë dhe përderisa ne kemi marrë parasysh që do jemi përballë debateve, pra do bëjmë debate dhe me palët, pra siç është opozita, qeveria, duhet të jemi të përgatitur që do jemi përballë shpifjeve të tilla. Mua përshembull, jam ndodhur dhe unë përballë këtyre rasteve. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në një debat më tha që ti je biznesmen për shembull. Unë ia sqarova aty në sy, jo me atë shpërthimin tënd. Nuk e di pse e pate atë shpërthimin sepse nuk ishte e nevojshme se tejkalove dhe etikën etj, etj, por megjithatë raporti është ndryshe me kolegët dhe ndryshe me palët. Nga palët duhet të jemi të përgatitur për të dëgjuar shpifje dhe nga këto banalitete të tilla”, tha Rakipllari./abcnews.al