Debati për praninë e medias në sallë ndërpreu fjalën e kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili nisi të fliste për dekretin e rishikimit të buxhetin. Basha iu drejtua kryetarit të Kuvendit për të futur median në sallë, pasi po përdoret një mënyrë tinëzare për të ndaluar median përmes regjisë qëndrore. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i sqaroi se media është e lirë të futet. Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar socialist taulant Balla e cilësoi qesharake kërkesën e Bashës.
Basha: Fut median në sallë dhe rifilloje kohën nga fillimi.
Ruci: E njoftova median zoti Basha. E keni kot këtë muhabet. Media është e lirë të futet brenda.
Basha: Çështja e pranisë së medias në sallë është disktuar javën e parë të kësaj legjislature. Është përpjekur Edi Rama që edhe në kuvend të fusë regjinë qëndrore. Kuvendi duhet të jetë i hapur për çdo media dhe operator e gazetar. Këtë nuk e vendos Edi Rama dhe të ndaloni praktikën tinëzare regjinë qëndrore, mungesës së kamerave.
Ruçi: S’ka Kuvend në Europë që mos funksionojë pa regji qëndrore, vetëm ne përjashtim. Ju keni studiuar në Europë. Sinjali ju jept gjithë mediave. Ne bëjmë përjashtim, ja ku jemi, dyert janë të hapura të hyjë kush të dojë.
Basha: Është e vërtetë që kështu është në Europë, por nuk ka parlament në Europë që të ketë 19 kriminelë, përdhunues, nuk ka parlament që në karriget e të cilit janë kapur nga përgjimet e Prokurorisë, duke bërë pazare me krimet e drogës për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Nuk ka Parlament që Kryeministri kapet çdo ditë me skandale financiare dhe vazhdon, nuk ka parlament që pranon kapjen e mediave politiko -kriminalo- oligarkiko. Duhet t’ ju jept mundësia që të kthehen aty dhe menjëhërë aty.
Ruçi: Të gjitha mediat që ishin në oborrin e parlamentit janë aty, do ta merrni fjalën apo t’ia kaloj grupit tjetër?
Balla: Tani unë nuk gjej dot arsye për të shpjeguar ndërprerjen e fjalës së folësit të radhës të përcaktuar me konsensus të mazhorancës e opozitës. Kjo është qesharake jemi bërë kopësht fëmijësh ku i kërkohet kryetarit të Kuvendit të përcaktojë regjinë private. Kjo nuk është normale. Të njëjtat media janë përsëri. /abcnews.al