Debatet Biden-Trump për zgjedhjet presidenciale 2024

schedule19:06 - 20 Maj, 2024

schedule 19:06 - 20 Maj, 2024

Presidenti Joe Biden dhe rivali i tij i pritshëm republikan, Donald Trump, kanë rënë dakord të zhvillojnë dy debate presidenciale.

Një mori rregullash ka për qëllim që debati mes dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë të zhvillohet në bazë të normave të etikës.  Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, mbetet për t’u parë nëse debatet do të ndikojnë tek votuesit e pavendosur, duke patur parasysh se votimet zhvillohen në nëntor.

Presidenti Joe Biden dha një përgjigje të drejtpërdrejtë më 15 maj lidhur me debatin mes kandidatëve për president.

“Donald Trump-i humbi dy debate ndaj meje në vitin 2020. Që atëherë, ai nuk ka dashur të debatojë. Tani ai po sillet sikur dëshiron të debatojë përsëri me mua.”

Debatet do të zhvillohen më 27 qershor dhe 10 shtator. Kandidati republikan për president, Donald Trump, parashtroi kërkesa të reja gjatë një tubimi fushate të premten në Minesota.

“Dua të debatoj me të dhe do të kërkoj që t’i bëhet testi i drogës, meqë ra fjala. Nuk dua që ai të vijë në debat i ‘droguar’ siç ishte në fjalimin drejtuar vendit në Kongres”, aludoi zoti Trump për Presidentin Biden.

Nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimet e zotit Trump. Senatori demokrat Chris Van Hollen ngriti pikëpyetje për taktikat e debatit të ish-presidentit gjatë një interviste në programin “This Week” të kanalit ABC.

“Ai (Trump) dëshiron të krijojë këtë lloj atmosfere argëtimi si cirk, por zgjedhja do të jetë shumë e qartë. Kemi një kandidat që u rrit në Skranton të Pensilvanisë që lufton për klasën e mesme. Ai beson tek dinjiteti në punë dhe mirësjellja. Donald Trump-i përfaqëson kaosin”, tha Senatori Van Hollen.

Ish-këshilltari i fushatës së zotit Trump, Marc Lotter, theksoi rëndësinë e debatit presidencial gjatë një interviste në kanalin ABC.

“Do të jetë një kujtesë e drejtpërdrejtë, pasi Donald Trump flet rreth 90 minuta dy tre herë në javë nëpër tubime. Rrallë herë Joe Bien zhvillon ndonjë intervistë me pyetje të vështira. Do të jetë një sfidë për Presidentin Biden”, tha zoti Lotter lidhur me debatet presidenciale.

Në sallën e debateve nuk do të ketë audiencë. Gazetarët e rrjeteve CNN dhe ABC do të kenë mundësinë që të mbyllin mikrofonat nëse kandidatët përpiqen të ndërpresin njëri-tjetrin.

Debatet do të ndihmojnë amerikanët që të vendosin se për kë do të votojnë në zgjedhjet e nëntorit, thotë për Zërin e Amerikës profesoresha June Speakman e Universitetit Roger Williams.

“Trump-i dallohet për goditjen e të metave të kundërshtarit, dhe ka më pak interes tek diskutimi i çështjeve. Mendoj se Biden-i do të përpiqet të përqendrohet tek problemet, arritjet e tij ekonomike dhe më pak në karakteristikat e Trump-it si kandidat”.

Ndikimi tek votuesit është i lidhur me kohën kur zhvillohen debatet, thotë për Zërin e Amerikës John Fortier me Institutin “American Enterprise”.

“Përqendrimi vëmendjes nga votuesit është më i madh ndërsa afrohen zgjedhjet. Debatet kanë shikueshmëri të madhe dhe votuesit e pavendosur e përqendrojnë më shumë vëmendjen për të zgjedhur në minutën e fundit”.

Dy kandidatët vazhdojnë fushatat për të tërhequr votuesit. Zoti Trump do të zhvillojë një tubim në Bronks të Nju Jorkut më 23 maj. Presidenti Biden zhvillon një vizitë zyrtare në Nju Hampshire më 21 maj dhe pastaj shkon në Boston të shtetit Masaçusets./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!