Debate të forta mes Berishës dhe “besnikëve” të Bashës: Ç’ndodhi në mbledhjen e PD

schedule20:18 - 12 Prill, 2022

schedule 20:18 - 12 Prill, 2022

Ka përfunduar pas disa orësh mbledhja e grupit parlamentar në PD. Mbledhja në ambientet e selisë blu nisi në orën 13:00. I pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Prania e këtij të fundit solli debate të nxehta që në nisje. Berisha u përplas fillimisht me kryetarin e grupit, Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit e cilësoi Berishën si “pushtues”, pasi ai mori kontrollin e selisë, ndërsa ish-kryeministri përsëriti se ai nuk duhej të kishte ankimuar vendimin e gjykatës për Kuvendin e 11 Dhjetorit. Berisha deklaroi gjithashtu se nuk e njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar.

Mbledhja kishte fokus diskutimet për bashkimin e partisë, por duket se gjasat që të ndodhë janë ende shumë larg. Shumica e deputetëve kërkuan se duhet të ndërpritet procesi i zgjedhjeve në degë  të nisur nga “Rithemelimi”, pasi është i njëanshëm dhe përjashton një pjesë të demokratëve. Po ashtu ata kërkuan që Kuvendi i 30 dhjetorit të shtyhet. Madje, deputeti Helidon Bushati propozoi një “Kuvend Pajtimi” ku të jenë të gjitha palët.

Lexo edhe: Berisha: Padia e Alibeajt s’ka asnjë bazë, ai sillet si kryetar por nuk është i tillë

Gjatë mbledhjes maratonë pati përplasje gjithashtu mes mbështetësve të Berishës dhe “besnikëve” të Lulzim Bashës. Flamur Noka e cilësoi Gazment Bardhin si shkaktar të gjendjes në të cilën ndodhet sot partia. Nga ana tjetër, Bardhi u kujdes të kujtonte se mbështetësit e Berishës heshtin për “non grata-n” e Aqif Rakipit.

Lexo edhe: Debate në selinë blu, Noka-Bardhit: Ti je shkaktar i kësaj gjendje. Ia kthen demokrati: S’të marr leje

Në mbledhjen e sotme mungoi sërish Lulzim Basha, tashmë i dorëhequr si kryetar. Basha nuk ishte po ashtu edhe në mbledhjen e parë të përbashkët të grupit, dhe sqaroi se prania e tij do të tensiononte situatën. Ish-kryetari ishte sot në një takim me demokratët në Rrogozhinë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!