Debate në Komisionin e “25 prillit”, shtyhet miratimi i rregullores, zgjidhen 2 përfaqësues

schedule16:32 - 18 Tetor, 2021

schedule 16:32 - 18 Tetor, 2021

Pas debateve, në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit janë caktuar 2 përfaqësuesit për rregulloren. Nga ana e opozitës është caktuar Ervin Salianji kurse nga ana e mazhorancës Nasip Naço.

Mes debatesh u vendos që rregullorja të miratohet në mbledhjen e radhës të Komisionit, përcaktuar më 20 tetor, kur do të bëhet edhe emërimi i Sekretarit. Që në fillim të kësaj mbledhje të parë të Komisionit i cili do të hetojë problematikat në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, nuk munguan debatet mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Përfaqësuesit e mazhorancës ngritën pretendime për probleme në rregulloren e këtij komisioni, duke theksuar se kishte nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime që duheshin bërë dhe nuk mund të miratohej sot, por sipas tyre kjo nuk përbënte problem për zgjedhjen e Sekretarit në mbledhjen e sotme. Ndërsa sipas Ervin Salianjit, pretendimet e shumicës janë tentativa për “të gjetur alibi minimaliste” për të shtyrë komisionin sipas tij, kjo “e tentuar nga fillimi për ta cuar në kalendat greke”.

Kryetari i Komisionit hetimor Enkelejd Alibeaj është shprehur se qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i veprimtarisë së pushtetit vendor dhe fondet e institucioneve për qëllime elektorale.

Lexo edhe: Salianji: Nuk bëni dot gangsterin, s’mbulohet manipulimi me sherre. Revoltohet Gjylameti

Sipas Alibeajt ky komision do të hetojë dhënien e shpërblimeve të dëmeve të tërmetit, verifikimin e legalizmimeve për qëllime elektorale, punësimet në administratë për qëllime elektorale, përdorimin e të dhënave personale. Komisioni më pas do të njoftojë prokurorinë për hetimet në lidhje me këto çështje. Më 30 shtator, PD dorëzoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor, ndërsa zgjedhjet e 25 prillit,  i kanë quajtur “masakër zgjedhore”. be.k/Abcnews.al