De Zerbi jep lajmin e hidhur, “Pulëbardhat” e Brighton humbin “yllin” e sulmit

schedule22:36 - 27 Shkurt, 2024

schedule 22:36 - 27 Shkurt, 2024

“Karou Mitoma do të jetë jashtë fushës për dy ose tre muaj, sezoni ka mbaruar për të”.Kështu është shprehur trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi, në një konferencë për shtypin në prag të ndeshjes së FA Cup kundër “Ujqërve” të Wolverhampton.

Një lajm shumë i keq për skuadrën e Premier League, e cila ndër angazhimet e radhës ka dy ndeshje me “Verdhekuqtë” e Roma-s, në fazën e 1/16-ve, të Europa League. Anësori 26-vjeçar japonez po vuan nga një problem me shpinën, i cili e detyroi të humbasë ndeshjen e Premier League kundër “Bluve” të Everton të shtunën e kaluar dhe që doli të ishte më serioz se sa pritej.

“Është një situatë e keqe, shumë e keqe”,- tha De Zerbi- “është dëmtimi i shpinës që e mbajti jashtë të shtunën. Është një problem i rëndësishëm. Mendoj se do të duhen dy ose tre muaj, kështu që sezoni ka përfunduar për të.”

Ndërkaq, kujtojmë se këtë sezon, për shkak të lëndimeve të tjera dhe pjesëmarrjes në Kupën e Azisë, Mitoma nuk ka luajtur shumë, megjithatë ka shënuar tre gola dhe ka dhënë gjashtë asistime me “Pulëbardhat” e tij. /i.m /abcnews.al