Daniele De Rossi nuk e mbylli te Roma futbollin e luajtur, edhe pse do kishte dashur shumë. Luftëtari italian provoi një eksperiencë të re me Boca Juniors, ndërkohë që një vit më parë, më 26 maj, luante takimin e fundit me skuadrën verdhekuqe.
De Rossi ishte në fushë kundër Parmës dhe para se takimi të niste, mbajti një fjalim. “Për kë kam vrapuar? Për kë kam luftuar? Për kë kemi vdekur?”, thërriste mesfushori, ndërkohë që shokët e skuadrës njëzëri bërtisnin “Roma”.
Tashmë tifozët e Curva Sud kanë vendosur ta nderojnë ish-kapitenin e tyre, pikërisht me ato fjalë që ai kishte thënë në dhomat e zhveshjes. Ultrasit kanë shpalosur një banderolë poshtë shtëpisë së mesfushorit italian.
“Për cilindo që ke vrapuar, për cilindo që ke luftuar, për cilindo që ke vdekur. Roma të nderon, të bën homazhe!”, shkruanin ultrasit e Curva Sud, ndërkohë që edhe në rrjetet sociale ka pasur shumë mesazhe për ish-kapitenin e tyre. /abcnews.al