Ardhja e teknikut, Daniele De Rossi, në stolin e “Verdhekuqve” ka sjellë një frymë tejet të re, te Roma, teksa në 5 sfidat e tij të para, me ish-ekipin e tij ka arritur të regjistrojë plot 4 fitore, me humbjen e vetme, e cila edhe pse në “Olimpico”, erdhi nga “Zikaltërit” e Inter, të cilët janë pretendentët absolut për të fituar titullin e Serie A, këtë sezon.
Mbrëmjen e së enjtes, De Rossi do të bëjë edhe debutimin e tij të madh, si trajner, në një nga Kupat e Evropës, me “Verdhekuqtë”, që për të tretin vit radhazi do të përballen me “Tulipanët” e Feyenoord, në një fazë me eliminim direkt, të një kompeticion evropian, teksa deri më tani triumfatorë janë “Ujkonjat”, të cilët fituan finalen e Conference League ndaj holandezëve, si dhe çerekfinalen e edicionit të kaluar, të Europa League.
Siç e do zakoni një ditë para sfidës u mbajt edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku italian u shpreh se kërkon të rikthejë atë “Verdhekuqtë”, në nivelin e disa viteve më parë, ku asokohe eleminonin nga faza çerekfinale e UEFA Champions League, një ekip të madh, siç janë është “Katalanasit” e Barcelona.
“Jam shumë i lumtur që po debutoj në Evropë, disa kohë më parë nuk e mendoja. Jam i gëzuar për këtë mundësi dhe dua të përfitoj nga ajo. Është një klimë e nxehtë, por është fusha ajo që flet. Kam eksperiencë si lojtar në disa ndeshje europiane, por nuk kam fituar kurrë më parë një trofe europian.
Mbaj mend edhe kur na mposhti Manchester United me rezultatin 7-1, por ia dolëm të ringriheshim. Nëse më duhet të zgjedh një ndeshje të veçantë europiane, mendoj për atë fitoren 3-0 kundër Barcelona-s. Dua të rikthehemi mes skuadrave më të rëndësishme të Evropës”,- u shpreh tepër i karikuar, Daniele De Rossi. /i.m /abcnews.al