De Ligt mund të quhet lojtar i Juventusit

schedule15:19 - 15 Korrik, 2019

schedule 15:19 - 15 Korrik, 2019

Matijs De Ligt mund të cilësohet lojtar i Juventusit. Për kapitenin e Ajaksit jepen 70 milionë euro, ndërsa klauzola e transferimit do të jetë 150 milionë euro.

Do të ketë në shpinë, me shumë gjasë, numrin 4. Matijs De Ligt është më në fund lojtar i Juventusit, dhe gazetat italiane tregojnë se klubi torinez do të paguajë 70 milionë euro për kartonin, por plus edhe shpërblime të ndryshme në bazë të arritjeve. Sukses i madh i drejtuesve bardhezinj, i projektit të trajnerit të ri, Sarri, dhe i agjentit të kapitenit të Ajaksit, Mino Raiolës.

“La Gazeta dello Sport” sqaron se Raiola i mori që vjet një premtim Ajaksit, për transferim mbi bazën e 50 milionë eurove, por sezoni i fundit ishte i jashtëzakonshëm për qendërmbrojtësin, ndaj edhe kostoja e kartonit u rrit gati 50 për qind.

Kampionia e Italisë tashmë i ka vendosur edhe klauzolën e transferimit, 19-vjeçarit holandez, e cila mësohet se është 150 milionë euro. Mjaft e lartë, por jo çmenduri siç ndodh në Spanjë. Me ardhjen e futbollistit të kombëtares së Holandës, mbrojtja pritet të jetë thuajse e pathyeshme.

Siç thekson gazeta sportive torineze, “Tutosport”, me lojtarë si De Ligt, Chiellini e Bonuçi, mbrojtja mund të quhet “Muri i Juventusit”. Tifozët e “Zonjës së Vjetër” reaguan menjëherë, dhe disa prej tyre kërkuan në rrjetet sociale, që titulli kampion të fitohet që në muajin nëntor!

Gjithsesi, pavarësisht Ronaldos e De Ligtit, pavarësisht kthimit të Gianluigi Bufonit, Juvja do të ketë konkurrencë besohet më së shumti nga Interi i ish-juventinit, Antonio Konte./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!