Është një mungesë që pritet t’i kushtojë shumë “tulipanëve”. Pavarësisht dëshirës së madhe për të qenë pjesë e Kampionatit Evropian të futbollit, “ylli” i mesfushës, Frenkie De Jong e ka humbur “garën me kohën”, duke mos arritur dot të rikuperohet në kohë pas dëmtimit në kavilje që pësoi gjatë sezonit me “Katalanasit” e Barcelona, duke humbur kështu fazën finale të Evropianit.
Që prej 21 prillit, kohë kur De Jong u dëmtuar në “El Clasico”-n, ndaj Real Madrid, të gjithë te “Tulipanët” shpresonin te rikuperimi në kohë i 27-vjeçarit. Por, në mbrëmjen e së hënës, Holanda lajmëroi se De Jong nuk do të jetë pjesë e skuadrës për Evropian, gjë e cila ka nervozuar jo pak edhe teknikun Ronald Koeman, i cili ka hedhur menjëherë akuza drejt klubit spanjoll.
“Te Barcelona rrezikuan shumë më gjendjen fizike të De Jong dhe tani jemi ne që vuajmë pasojat”, u shpreh Koeman. Ndërkohë, vetë De Jong shprehu të gjithë zhgënjimin që nuk do të jetë pjesë e Euro 2024.
“Jam shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer, në javët e fundit kemi punuar shumë, por për fat të keq kavilja ime do ende kohë që të rikuperohet. Është një ëndërr dhe nder që të përfaqësosh vendin në një kompeticion kaq të rëndësishëm, por tani si pjesa tjetër, unë do të bëj tifozllëk për kombëtaren”,- u shpreh De Jong.
Ndërkaq, pas këtij lajmi, Koeman ka thirrur menjëherë në grumbullim “zëvendësuesin” e “yllit” të mesfushës, me anësorin Ian Maatsen, i cili ka shkëlqyer këtë sezon te Borussia Dortmund dhe tanimë pritet të shkëlqejë edhe në Evropian, turne që për “Tulipanët” fillon mesditën e 16 qershorit, me përballjen ndaj Polonisë, të vlefshme për grupin D, pjesë e së cilës janë edhe Austria me Francën. /i.m /abcnews.al

