Kevin De Bruyne është një lojtar unik dhe Manchester City është me fat që e ka në përbërje. Belgu u bë i njohur në fillim te Werder Bremen dhe në verën e vitit 2012 u transferua te Chelsea për 22 milion euro. Aventura me “Blutë e Londrës” nuk shkoi ashtu siç pritej. Belgu nuk i doli të fitonte besimin e Jose Mourinhos dhe vendosi të rikthehet në Bundesligë, kësaj radhe te Wolfsburg.
De Bruyne shpërtheu me “Ujqërit” dhe paraqitjet pozitive ndikuan që Manchester City ta rikthente në Premier për 75 milion euro. Lojtari është kthyer pas në kohë dhe deklaron për revistën gjermane Socrates se nuk e sheh si diçka të keqe faktin që nuk luajti për gjashtë muaj te Chelsea, teksa shuma e madhe që “Cityzens” paguan për kartonin e tij nuk e shqetëson.
“Ndoshta erdhi shumë shpejt eksperienca me Chelsea. Isha vetëm 19 vjeç dhe jeta ime ndryshoi totalisht. U gjenda në një vend të ri me një kulturë ndryshe. Më duhet ta pranoj se, duke i parë gjërat sot, nuk ishte aspak dramatike. Të qëndrosh 6 muaj pa luajtur nuk është një gjë kaq e keqe.
City pagoi 75 milion euro për mua? Janë shifra, nuk është një problem i imi. Flitet se presioni rritet te lojtari kur paguhen kaq para për të, por mund të them që nuk më shqetëson aspak ky fakt. Rëndësi ka që jam i lumtur te City dhe gjërat po na shkojnë mbarë“, deklaron fantazisti belg. /abcneWs.al

