De Biazi: Atalanta aktivizoi Djimsitin prej meje, Rashica nuk ishte kaq i fortë

schedule10:39 - 20 Prill, 2020

schedule 10:39 - 20 Prill, 2020

Gianni De Biasi zhvilloi një punë fantastike gjatë 5 viteve e gjysmë që qëndroi në stolin e kombëtares shqiptare, por edhe gabimet nuk munguan. Kualifikimi në Euro 2016 ishte arritja historike, në kompeticionin e zhvilluar në Francë nuk mund të grumbulloheshin të gjithë, por mungesat e Berat Djimsitit dhe Milot Rashicës krijuan polemika të mëdha.

Dy lojtarët dardanë, ashtu si edhe Amir Rrahmani, janë rritur shumë nga ai moment dhe sot janë ndër lojtarët shqiptarë më të suksesshëm. Djimsiti uli kokën, nuk u ankua kurrë dhe po korr frytet e një pune të madhe dhe shumë sakrificave.

Dy të tjerët vepruan ndryshe dhe zgjodhën të largohen nga kombëtarja kuqezi. Sot janë ndër dy pikat më të forta të Kosovës dhe shkëlqejnë në klubet ku aktivizohen. Të tre kanë treguar me kalimin e kohës që De Biazi gaboi katër vite më parë, ndërsa italiani tregon versionin e tij për Klan Kosova.

DJIMSITI – “Me mua në Francë ishin lojtarët më të gatshëm. Në vendin të Djimisitit zgjodha Veselin, sepse po luante rregullisht. Djimsiti ka luajtur në atë kohë vetëm 3 ndeshje me Atalantën dhe ato me kërkesën time. I mora në telefon drejtuesit e Atalantës dhe u thashë ta aktivizonin pak, sepse nuk mund ta merrja në Europian pa luajtur. Ata e morën në konsideratë kërkesën time, renditja ua lejonte dhe e futën në lojë. Por, nuk mund të jem unë trajneri që telefonon ekipet dhe u them se kë duhet të fusin si titullar”.

 

Shala, Rashica dhe Rrahmani, kur ishin pjesë e Shqipërisë

RASHICA-RRAHMANI – “Nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes dy Federatave për t’u larguar nga Shqipëria. Edhe po të luanin në Francë, ata kanë pasur mundësinë të zgjidhnin Kosovën më pas. Të dy lojtarët nuk ishin ata që janë sot, po flasim këtu e katër vite më parë. Rahmani kishte luajtur vetëm me Partizanin, kurse Rashica po luante në Holandë. Mendoj se ishte një zgjedhje shumë e vështira për mua, njëkohësisht e dhimbshme, pasi unë kisha marrë tre lojtarë më shumë në përgatitjen tonë në Austri. I kam shkruar me detaje të gjitha gjërat, parametrat e aspektit fizik dhe kualitetin e lojtarëve të ndryshëm”.

KOSOVA – “Kosova është një skuadër që nuk ka shumë presion. Ka lojtarë shumë cilësorë në sulm, por edhe mbrojtje të mirë. Edhe stoli i tyre është me lojtarë cilësorë. Besoj se mund të kualifikohet në Euro 2021, edhe për nder të ish-presidentit Fadil Vokrri. Si tifoz i jap fitoren Kosovës në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, por ajo ndeshje do të jetë 50-50”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!