Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë se ai është kundër dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, madje edhe për misione stërvitore.
Në një intervistë me të përditshmen gjermane Sueddeutsche Zeitung botuar të shtunën, Cameron tha se misionet e trajnimit kryhen më së miri jashtë vendit. Vendosja e ushtarëve të huaj në Ukrainë do të siguronte objektiva për Rusinë.
Muajin e kaluar presidenti francez Emmanuel Macron tha se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk mund të përjashtohej.
Të premten, ministri francez i mbrojtjes Sebastien Lecornu tha se nuk ka plane për momentin për të dërguar trupa luftarake, por se aleatët e Ukrainës mund të marrin në konsideratë trajnime specifike ose misione të çminimit.
Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se prania e forcave të NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme” dhe se ai e vlerëson presidentin francez që nuk e përjashtoi këtë ide.
Radek Sikorski tha se ai e vlerësonte iniciativën e Macron “sepse ka të bëjë me frikën e Putinit, jo për ne që kemi frikë nga Putini”.
/abcnews.al