Data e zgjedhjeve/ Presidenti Begaj: Të jetë proces intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë

schedule14:57 - 20 Nëntor, 2024

schedule 14:57 - 20 Nëntor, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj kërkon që përcaktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare 2025, të jetë proces intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.

“Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre. Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar.

Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit.
Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme. Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë.
Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre”, shkruan Begaj në Facebook.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!