Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dasmë arbëreshe në Tiranë/ Çifti nga Kalabria kurorëzohet në kryeqytetin shqiptar

schedule13:34 - 27 Qershor, 2026

schedule 13:34 - 27 Qershor, 2026

Një dasmë tradicionale arbëreshe është zhvilluar në kryeqytetin shqiptar. Një ngjarje e veçantë familjare, e mbushur me emocione, traditë dhe krenari identitare, mblodhi dhjetëra arbëreshë nga Italia, miq dhe të afërm nga të dy brigjet e Adriatikut.

Familja e njohur arbëreshe Blandi, me origjinë nga San Benedetto Ulano në Kalabri, zgjodhi që dasmën e vajzës së saj ta organizojë në Tiranë, duke i dhënë kësaj feste familjare një domethënie të veçantë patriotike dhe kulturore.

Ceremonia kishtare e çiftit Rossella Blandi dhe Francesco Metallo u zhvillua në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”, ku të ftuarit përjetuan një atmosferë të ngrohtë që bashkonte elegancën moderne me emocionet e rikthimit në vendin e origjinës së të parëve.



Për familjen Blandi, kjo nuk ishte vetëm një dasmë. Ishte një mënyrë për të dëshmuar lidhjen e fortë që komuniteti arbëresh vazhdon të ruajë me Shqipërinë edhe pas pesë shekujsh histori në tokën italiane.

Vendimi për ta festuar këtë moment të rëndësishëm në Tiranë u prit me entuziazëm nga të afërmit, krushqit dhe miqtë e ardhur nga Kalabria, Kosova dhe vete Shqipëria të cilët e konsideruan këtë zgjedhje si një shenjë respekti ndaj rrënjëve dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Atmosfera festive u shoqërua me urime, muzikë dhe emocione të shumta, ndërsa shumë prej të ftuarve shprehën kënaqësinë për faktin se po festonin në Shqipëri një nga momentet më të rëndësishme të jetës së familjes. Për ta, kjo ishte një mundësi për të forcuar më tej lidhjet njerëzore, familjare dhe shpirtërore që bashkojnë arbëreshët me kombin shqiptar.

Dasma e familjes Blandi u kthye kështu në më shumë se një ngjarje private. Ajo u shndërrua në një festë kolektive të komunitetit arbëresh, në një dëshmi të gjallë të ruajtjes së identitetit dhe në një simbol të miqësisë së qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një kohë kur globalizimi shpesh zbeh kufijtë e identiteteve kulturore, arbëreshët e Kalabrisë vazhdojnë të japin shembuj frymëzues të ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kujtesës historike. Dasma e organizuar nga familja Blandi në Tiranë ishte një dëshmi e bukur se rrënjët mbeten të forta dhe se dashuria për atdheun e të parëve vazhdon të përcillet me krenari nga brezi në brez.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!