Dasma mbretërore, policia britanike nis operacionin e sigurisë

schedule19:55 - 19 Prill, 2018

schedule 19:55 - 19 Prill, 2018

Kur duhet edhe një muaj nga dasma mes princit Harry dhe aktores Meghan Markle, forcat e policisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur operacionin e sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen e eventit.

Policia në Uindsor të Britanisë së Madhe, në prag të martesës mes princit Harry dhe aktores Meghan Markle, ka nisur një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në historinë e saj, për të garantuar që eventi të kalojë i qetë. Harry, 33 dhe Meghan 36 vjeç do të lidhin kurorë më 19 maj në kishën Saint George të kështjellës Uindsor, që është dhe shtëpia e gjyshes së princit, që dominon qytezën e ndodhur 30 km në perëndim të Londrës. Mbi 100 mijë vizitorë pritet të zbarkojnë në Uindsor për të ndjekur nga afër dasmën dhe policia ka deklaruar se do të vendosë barriera për parandalimin e makinave, agjentë të armatosur dhe një sistem sigurie të ngjashëm me ata të aeroporteve për të parandaluar çdo incident. Ndërkohë, specialistë eksplozivi dhe qen të stërvitur nga policia metropolitane kontrolluan qytetin të enjten, duke ekzaminuar kutitë postare, kabinat telefonike dhe kanalet e ujërave të zeza. “Ky është një operacion masiv për çdo forcë policie dhe një ndër më të mëdhenjtë ku unë kam marr pjesë. Sigurisht, ne dëshirojmë që gjithçka të kalojë në qetësi”, ka deklaruar oficeri koordinator Andy Turner. Aktualisht alarmi për sulme terroriste në Mbretërinë e Bashkuar është në nivelin e dytë, që do të thotë se atentatet kanë gjasa të ndodhin. Vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan 5 incidente të klasifikuara si akte terroriste e ku mbetën të vrarë 36 persona. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!