Një dashuri e pastër, por e ndaluar nga diktatura. Një zemër që rrahu fort për një vajzë dhe u dënua për këtë. Historia e Ernest Tushes, i riu shqiptar që ra në dashuri me vajzën e ambasadorit italian në Tiranën e viteve ’80, është një nga ato rrëfime që të lënë pa fjalë, tronditëse, e dhimbshme dhe thellësisht njerëzore.
Në një intervistë rrëqethëse për emisionin “ABC-ja e Mëngjesit” në ABC News, Tushe tregon se si ndjenjat e tij e futën në ferrin e burgjeve komuniste, i shpallur “spiun” vetëm sepse refuzoi të tradhtonte një familje që i kishte besuar. I arrestuar, i torturuar, i harruar për 20 vite pas hekurave.
“Më arrestuan dhe më çuan direkt te 313. Më akuzuan se isha një agjent i huaj, spiun. Më çuan dhe më thanë ‘hë si po të duket biruca’, mirë u thash unë , s’dija se çfarë të thoja më ishte bërë si shtëpi. Jam arrestuar në nëntor në ’80-ës. 20 vjet i kam bërë në burg. Më dënuan për 8 vite dhe dënimi do ishte në burgun e Spaç-it. Mehmet Shehu më goditi i pari, me duart e veta. Ata kërkonin që unë të spiunoja për vajzën, por unë kur hyrja në burg e kisha marrë parasysh që të mos të tregoja, sepse familja e saj më kishte besuar. Ish-ambasada italiane ishte tokë amerikane dhe nuk mundeshin që të futeshin dot brenda që të përgjonin. Familja Karlo ishin njerëz normalë.
Mamaja më donte shumë, kurse babai më këshillonte. Madje kur jam arrestuar unë ata ishin këtu, vajza ishte në shkollë, kurse babai ka bërë një natë protestë në ambasadë. Ndërkohë nga kjo ata u bindën se unë isha një agjent i huaj. Mendova fillimisht se ky ishte një formë presioni, por kur mora vesh që më nuk do të dilja atëherë humba çdo shpresë. Unë i dërgoja letra vajzës, por ato nuk shkonin kurrë, sepse i bllokonin tek “Shtëpia me Gjethe”. Kur dola pashë në shtëpi disa kartolina, duket që ishin nga jashtë, më kishte shkruar e gjithë familja e saj. U ritakuam në vitin 1990, por ajo kishte krijuar jetën e saj, ishte martuar”, tregoi Ernest Tushe./abcnews.al