Një muaj paraburgim ka vendosur gjykata e Splitit për pilotin kroat dhe të dashurën e tij, serbe nga Kosova, për dyshimet për spiunazh.
Ata janë lënë në paraburgim për shkak të mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarë dhe rrezikut të shkatërrimit të provave, thuhet në vendimin e masës së gjykatës.
Serbja e dyshuar është lënë në paraburgim për shkak edhe të rrezikut për arrati meqë në Kroaci është shtetase e huaj.
Të dy janë intervistuar të mërkurën nga autoritetet, ndërsa rasti i tyre po hetohet nga policia dhe Europoli.
Dyshimet janë se piloti kroat teksa ka shërbyer edhe në KFOR, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.
Konkretisht po hetohet mbi rastin e fundit te vitit 2022, kur piloti kroat mendohet se i ka dhënë informacione partneres së tij mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it.
Mes te tjerash, hetuesit dyshojnë se ai i zbuloi asaj informacione të rëndësishme lidhur me Zubin-Potokun, një prej komunave problematike mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës në veri.
Të dy po ashtu akuzohen për shkëmbim informacionesh lidhur me transportin e serbit të arrestuar Dejan Pantiç, ish-polic i Kosovës, i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.
/abcnews.al/

