DASH “shuplakë” Kosovës: Probleme me pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin serioz të qeverisë

schedule22:17 - 22 Prill, 2024

schedule 22:17 - 22 Prill, 2024

KOSOVË- Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.

 

SITUATA ME GJYQËSORIN DHE SHQETËSIMI PËR KORRUPSIONIN

Megjithëse kushtetuta e Kosovës parashikon një gjyqësor të pavarur, raporti thotë se gjyqësori nuk ka arritur të ofrojë gjithnjë një proces të drejtë. Me mangësira në llogaridhënien e zyrtarëve të drejtësisë, strukturat e gjyqësorit u ndikuan nga ndërhyrjet politike, emërimet e debatueshme dhe mandatet e paqarta.

Ndërkohë, shoqëria civile kritikoi qeverinë për ndërhyrje publike në pavarësinë dhe paanshmërinë e institucioneve të gjyqësorit, në veçanti për rastet e hetimit për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë.

Megjithëse legjislacioni i Kosovës parashikon ndëshkimin penal të korrupsionit të zyrtarëve, qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. Pati njoftime të shumta për korrupsion qeveritar dhe zyrtarët u angazhuan ndonjëherë në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje të efektshme ndaj gjyqësorit dhe një dobësi e përgjithshme në funksionimin e shtetit ligjor kontribuuan më tej në këtë drejtim.

 

LIRIA E SHPREHJES DHE LIRIA E MEDIAVE

Megjithëse kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes, përfshirë të punonjësve të shtypit dhe mediave të tjera, pati raportime të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe elementë të botës së krimit dhe madje edhe grupet fetare u përpoqën të frikësojnë përfaqësuesit e mediave dhe përdorën dhunën apo kërcënimet ndaj gazetarëve. Shoqata e Gazetarëve (AJK) raportoi se u bë vetë objektiv sulmesh kur ka dalë në mbrojtje të gazetarëve dhe të mediave. Shoqata raportoi se zyrtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe drejtuesit e partisë në pushtet, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediat. Me gati 60 raste sulmesh të raportuara gjatë vitit, gazetarët u shprehën se për shkak të trysnisë nga politikanët dhe grupe kriminale, kaluan shpesh në vetëçensurim të raportimit të tyre.

Sulmet ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj dhe qershor dëmtuan paisjet, dogjën automjete dhe lënduan fizikisht punonjësit e grupeve të mediave në terren. Gazetarët thanë se disa prej këtyre sulmeve ishin të drejtuara dhe të miratuara nga udhëheqësit politikë në veri të vendit, megjithëse ata kanë mohuar ndonjë përfshirje të mundshme.

Raporti vë në dukje se qeveria serbe vazhdoi të mbajë struktura të paligjshme paralele të qeverisjes në zonat me shumicë serbe dhe se i përdor këto struktura për të influencuar këto komunitete dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

DHUNA ME BAZË GJINORE DHE TË DREJTAT E GRAVE

Dhuna me bazë gjinore njihet në legjislacion si formë diskriminimi, por mungon një përkufizim i saj për t’u përdorur në proceset penale dhe civile. Përdhunimi dhe dhuna në familje njihen si vepra penale, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh japin ndëshkime më të lehta se minimumi i parashikuar dhe agjencitë e zbatimit të ligjit rrallë morën masa për të mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët. Vazhdojnë të jenë të pakta gratë në funksione drejtuese në biznese, në polici, apo në qeverinë e Kosovës dhe në përgjithësi vetëm një në pesë gra gjendet në tregun e punës.

DISKRIMINIMI NDAJ PAKICAVE ETNIKE

Diskriminimi me bazë racore apo etnike ndalohet nga kushtetuta e Kosovës, por vazhduan raportimet për dhunë dhe diskriminim ndaj grupeve të pakicave etnike. Sipas Avokatit të Popullit pati probleme në zbatimin e plotë dhe të efektshëm të ligjeve, si dhe mangësi në kapacitetet institucionale. Dhuna shoqërore, në veçanti diskriminimi në punësim, vazhdoi ndaj serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera të pakicave etnike. Grupet e pakicave u përballën me diskriminim të niveleve të ndryshme në arsim, shërbime sociale, përdorimin e gjuhës, lirinë e lëvizjes dhe të drejta të tjera të garantuara me ligj./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!