Jo të gjithë në Athinë janë pro qëndrimit të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis që vendosi të mos ftojë kryeministrin shqiptar, Edi Rama në darkën informale mbrëmjen e kësaj të hëne për 20-vjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Kreu i partisë më të madhe opozitare, Alexis Txipras është shprehur kundër vendimit të kryeministrit grek, duke sjell një paralelizëm mes ngjarjeve që më parë i kanë bërë bashkë dy kryeministrat.
“Është kryeministri ai që nga njëra anë sot nuk e fton kryeministrin e Shqipërisë për çështjen Beleri, por nga ana tjetër disa muaj më parë, ai zhvilloi festë me të në fshatrat minoritare të Shqipërisë, duke shkëmbyer komplimente parazgjedhore”, tha ai.
Ngjarjen që i referohet kreu i SYRIZA-s është ajo e dhjetorit të vitit të shkuar, kur Rama dhe Mitsotakis ishin bashkë në vizitën që zhvilloi kryeministri grek në disa fshatra të jugut. Por nga ajo kohë ka rrjedhur ujë, dhe aktualisht ujë është turbulluar për shkak të çështjes Beleri, kur Greqia ka mbajtur vijimësisht qëndrime dhe thirrje për ta liruar atë nga qelitë e burgut, ndryshe nga sa vendosin organet e drejtësisë. Athina thotë se do të ndëshkojë Shqipërinë, duke u bërë pengesë në rrugën evropiane të Shqipërisë, por Rama ka mbajtur një qëndrim të prerë, se politika greke duhet t’i bindet ligjeve të vendit.
Pas këtij tensioni, Mitsotakis nuk ftoi Ramën në darkën me liderët e tjerë të rajonit dhe të BE-së, por ftesa i shkoi presidentit Begaj, që e refuzoi atë formalisht, duke thënë se kishte axhendë të paracaktuar.