“Danimarkë-Finlandë nuk duhet të riniste, UEFA gaboi. Duam ndryshim të rregullores”

schedule13:39 - 16 Qershor, 2021

schedule 13:39 - 16 Qershor, 2021

Jesper Moller është kreu i Federatës së Futbollit të Danimarkës (DBU). Të shtunën nuk ishte në stadium për të ndjekur nga afër duelin e Euro 2020 ndaj Finlandës, pasi ndodhej në izolim për shkak të kontaktit me një person pozitiv.

Nesër do të jetë i pranishëm për takimin Danimarkë-Belgjikë (18:00), teksa me anë të një komunikate zyrtare, DBU kundërshton vendimin e UEFA-s që ndeshja, që u ndërpre për shkak të arrestit kardiak të Christian Eriksen, të rifillonte disa minuta më vonë.

Ishte i gabuar vendimi për të rifilluar ndeshjen e Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës, pasi Christian Eriksen u rrëzua në fushë dhe u dërgua në spital për shkak të arrestit kardiak. Ishte e tmerrshme të ndiqnim ngjarjet të shtunën në mbrëmje, kështu që ne duhet, së pari dhe mbi të gjitha, të gëzohemi që Christian Eriksen është mirë.

Është bukur të shohësh foton e tij duke buzëqeshur dhe të dëgjosh se ka biseduar me shokët e skuadrës, disa prej të cilëve e vizituan në spital. I dërgoj urimet më të mira atij dhe familjes pas ngjarjes së frikshme.

 

Eriksen me familjen e tij

Ndeshja? Jam dakord me trajnerin dhe lojtarët, ndeshja ndaj Finlandës nuk duhet të rifillonte. Ishte një vendim i gabuar, plotësisht i papërshtatshëm që lojtarët duhej të ishin në fushë aq shpejt pas përvojës së tmerrshme.

Ajo situatë nuk ka lidhje me lojtarët dhe trajnerin, nuk duhej të ishin ata që do të vendosnin. Tani ne duam një vlerësim të gjithë procesit të vendimmarrjes, në mënyrë që të mund t’i kemi të gjitha faktet dhe informacionet përkatëse në tryezë.

Ne duhet të bëjmë një ndryshim në rregullore, në mënyrë që të mos gjendemi sërish në të njëjtën situatë. Jemi të gatshëm të paraqesim një rezolutë në UEFA në lidhje me ndryshimet në rregullore.

Lavdërime dhe respekt të madh për të gjithë brenda dhe rreth ekipit kombëtar për përpjekjet heroike gjatë gjithë kohës. Ishte mbresëlënëse ajo që ata arritën në një situatë krejtësisht ekstreme, duhet të jemi të gjithë krenarë për ta“, përfundoi kreu i futbollit danez. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!