Dani Olmo, “peng” i Barcelonës/ Klubi “blaugrana” nuk mund të federojë mesfushorin në La Liga

schedule13:16 - 23 Gusht, 2024

schedule 13:16 - 23 Gusht, 2024

Ishte blerja më e rëndësishme në merkaton e verës, por Barcelona, trajneri i saj Hansi Flik dhe tifozët “blaugrana” duhet të presin ende për të parë në aksion Dani Olmo.

Mesfushori që shkëlqeu me kombëtaren e Spanjës në finalet e “Euro 2024” u ble nga Lajpcig për 55 milion euro, por e kishte të pamundur të luante në javën e parë të sezonit të ri në La Liga.

Të njëjtin fat do të ketë edhe në ndeshjen e dytë, pasi klubi nga Katalonja nuk ka mundur ta federojë futbollistin.

Shkak është situata e vështirë financiare, e krijuar nga borxhet e mëdha të akumuluar prej vitesh.

Sipas rregullores së “Fair Play Financiar”, Barcelona nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj, nëse bilanci nuk është i barabartë mes shpenzimeve dhe të ardhurave në arkën e klubit.

Kjo situatë u mendua se do të zhbllokohej me largimin e Ilkai Gyndogan, që liroi Barcelonën nga 20 milion euro në sezon.

Por llogaritë nuk janë bërë mirë dhe për momentin, klubi “blaugrana” e ka të vështirë të federojë Dani Olmo.

Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat iberike, në rrezik është edhe operacioni për transferimin e Federiko Kieza.

Futbollisti italian ka pranuar të largohet nga Juventus ku është i padëshiruar, por janë pikërisht këto probleme financiare që pengojnë zyrtarizmin e marrëveshjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!